Dy ekspertë të sigurisë kanë ngritur shqetësimin për mundësinë e reduktimit të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se një vendim i tillë do të rrezikonte stabilitetin në Ballkan dhe do t’i shërbente interesave të Rusisë.
Mark Montgomery, kundëradmiral në pension i Marinës amerikane, dhe Ivana Stradner, studiuese e çështjeve të sigurisë, i kanë kërkuar Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së që kontingjenti amerikan në Kosovë të përjashtohet nga çdo plan për shkurtimin e forcave ushtarake në Evropë.
Në një analizë të përbashkët, ata argumentojnë se rreth 600 ushtarët amerikanë të angazhuar në misionin e NATO-s, KFOR, kanë rëndësi të veçantë për ruajtjen e paqes dhe parandalimin e tensioneve në rajon.
Sipas ekspertëve, kursimet financiare nga largimi i këtij kontingjenti do të ishin të papërfillshme në krahasim me pasojat politike dhe të sigurisë që mund të shkaktonte një vendim i tillë.
Lexo edheIrani sulmon me dronë sistemin e radarit ushtarak amerikan në BahreinAta paralajmërojnë se dobësimi i pranisë amerikane në Kosovë do të krijonte hapësirë për ndikimin rus, duke e cilësuar një tërheqje të mundshme si një përfitim strategjik për Moskën pa kosto të mëdha.
Montgomery dhe Stradner vlerësojnë se kërkesa e administratës së presidentit Donald Trump që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit është e kuptueshme. Megjithatë, sipas tyre, misioni i KFOR-it ka specifika që e bëjnë të vështirë zëvendësimin e rolit amerikan.
Në analizë thuhet se Rusia vazhdon të kërkojë mundësi për të ushtruar ndikim dhe për të nxitur destabilizim në Evropë. Ballkani Perëndimor, sipas tyre, mbetet një nga rajonet ku ndërhyrjet e tilla mund të realizohen me kosto relativisht të ulët, duke larguar vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.
Si shembull të rëndësisë së angazhimit amerikan, ekspertët përmendin edhe misionin EUFOR Althea në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ata vënë në dukje se, pavarësisht pranisë së rreth 1.500 ushtarëve, ky mision është përballur me sfida në reagimin ndaj veprimeve të liderit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili gëzon mbështetjen e Rusisë dhe Serbisë.
Sipas tyre, përvoja në Bosnjë tregon se numri i trupave nuk është faktori i vetëm përcaktues, pasi mbështetja amerikane dhe koordinimi i qartë në strukturën komanduese kanë rëndësi vendimtare për parandalimin e krizave.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësinë për Komandën Rajonale të Lindjes në kuadër të KFOR-it. Kontingjenti amerikan në Kosovë përfaqëson më pak se një për qind të trupave të SHBA-së të dislokuara në Evropë.
Ndërkohë, Pentagoni ka paralajmëruar se procesi i rishikimit të pranisë ushtarake amerikane në Evropë pritet të përfundojë deri më 1 dhjetor 2026.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












