Komuna e Çairit ka reaguar ashpër lidhur me raportimet për mesazhe të pakonfirmuara me përmbajtje që pretendojnë ndalimin e sjelljes së flamujve kombëtarë në shkolla, duke i cilësuar ato si manipulime të qëllimshme për të krijuar frikë dhe pasiguri te prindërit, nxënësit dhe qytetarët.
“Dënojmë çdo përpjekje për të krijuar frikë dhe pasiguri te prindërit dhe nxënësit përmes SMS-ve të pakonfirmuara, që pretendohet se ndalojnë sjelljen e flamujve kombëtarë në shkolla. Këto janë manipulime pas të cilave qëndrojnë qarqe të dyshimta, të cilat nuk ia duan të mirën shqiptarëve. U bëjmë të qartë se nuk do të arrijnë ta prishin atmosferën festive dhe të mbjellin përçarje mes qytetarëve. Në Çair askush nuk mund ta cënojë flamurin kombëtar! Askush nuk duhet të guxojë t’i frikësojë fëmijët tanë për identitetin dhe simbolet e tyre kombëtare. Flamuri është krenari, identitet dhe dinjitet. Festat tona do t’i kremtojmë me krenari, pa frikë dhe pa manipulime!”, thuhet në reagimin e komunës.
Ky reagim i Komunës së Çairit vjen pas lajmeve dhe deklaratave nga qarqe të BDI-së, si dhe pas reagimit të nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, i cili përmes një postimi e ngriti dhe e theksoi këtë rast në opinion.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












