Besart Muhidini ka sjellë lajmin e shumërpritur jo vetëm për ekipin Klubit të Tetova Bulls, por edhe për sportin e Tetovës dhe më gjerë, transmeton TV21. Pas një takimi që ka realizuar me stafin e trajnerëve dhe lojatarët U-14 të Bayern Munchen – është dakorduar që të zhvillohet ndeshje e përbashkët.
Ndeshja me njërin ndër ekipet më të mëdha në Botë, mes Tetova Bulls dhe Bayern Munchen në gjeneratën U-14, pritet të mbahet në muajin nëntor.
“Ky është një moment historik për klubin tonë të basketbollit dhe për qytetin e Tetovës. Pjesëmarrja e Bayern Munchen, një nga klubet më të njohura dhe prestigjioze të basketbollit në botë, është një mundësi e jashtëzakonshme për lojtarët tanë të rinj, si dhe për gjithë komunitetin lokal.
Për lojtarët e Tetova Bulls U14, kjo ndeshje është një mundësi e pabesueshme për të matur nivelin e tyre dhe për të mësuar nga një ekip i kalibrit botëror. Për më tepër, ky event do të rrisë ndjeshëm profilin e klubit tonë dhe do të inkurajojë të rinjtë e Tetovës të angazhohen në sport me më shumë pasion dhe dedikim”, thanë nga Tetova Bulls.
Pjesëmarrja në një ndeshje të tillë, për Tetova Bulls ka rëndësi pasi ajo u sjell përvojë ndërkombëtare, rritje të motivimit, promovim i klubit dhe qytetit dhe ndërtimi i marrëdhënieve.
Por ekipi ka nevojë për mbështetje financiare.