Grupi punues për emërtimin e rrugëve në Komunën e Tetovës do të vazhdojë me punë, ndonëse grupi i këshilltarëve të LSDM-së njoftoi se po tërhiqet tërësisht nga çdo strukturë dhe organ në komunë që është duke punuar në procedurën për ndryshimin e emrave të rrugëve. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami këtë e theksoi në brifingun e sotëm me mediat, pasi të dielën LSDM-ja njoftoi për vendimin e tyre.
“Grupi i punës mund të marrë vendime me autoritet të plotë sepse ka shumicën e anëtarëve dhe përderisa procesi është brenda ligjit dhe Kushtetutës do të vazhdojë. Nuk dua të politizoj përsëri atë që thash. Unë jam i interesuar që çdo rrugë në Tetovë të ketë një emër dhe çdo shtëpi të ketë një numër”, tha Kasami.
Kryetari i Komunës së Tetovës duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve edhe një herë i është shmangur përgjigjes se sa borxhe ka Komuna e Tetovës, ndërsa arsyetimi ka qenë se kjo kërkonte informacion nga institucionet qendrore si Banka Popullore dhe Ministria e Financave.
Ai njoftoi se paratë nga Banka hungareze e eksportit dhe importit për projektet komunale duhet së shpejti të jenë në dispozicion.
“Sipas njoftimeve, paratë duhet të jenë në llogarinë e shtetit deri në fund të kësaj jave. Një nga projektet është gazsjellësi kryesor, gjysma e të cilit do të realizohet me këtë kredi, për të cilin tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat. Kur të përmirësohen kushtet e motit, operatori që ka fituar tenderin do të duhet të dalë në terren dhe të fillojë punimet e ndërtimit dhe për pjesën tjetër të tubacionit të ujit kemi një grant nga Ministria e Mjedisit Jetësor”, tha Kasami.
Kryetari i Komunës tha se deri në fund të marsit si komunë do të përfundojë edhe me aplikimin për kredi nga Banka hungareze për fondet e planifikuara për vitin 2025.