Trendy

Stuhia “paralizon” Aeroportin e Cyrihut, anulohen 70 fluturime

Para 3 orë

Stuhitë e fuqishme që goditën Zvicrën kanë shkaktuar kaos në Aeroportin e Cyrihut, ku dhjetëra fluturime u anuluan dhe shumë të tjera u vonuan ose u devijuan.

Sipas autoriteteve të aeroportit, moti i rënduar me reshje intensive, rrufe dhe dukshmëri të kufizuar detyroi kontrollin ajror të kufizojë përkohësisht operacionet.

Më shumë se 30 avionë që ishin në rrugë për në Cyrih u devijuan drejt aeroporteve të Shtutgartit, Gjenevës, Bazelit dhe Lionit, pasi nuk mund të uleshin në aeroportin e Cyrihut.

Si pasojë e ndërprerjeve të shkaktuara nga stuhia, deri të mërkurën në mëngjes u anuluan rreth 70 fluturime, ndërsa shumë pasagjerë u përballën me vonesa të gjata dhe humbën lidhjet me fluturimet e tjera.

Për të reduktuar vonesat, autoritetet lejuan që disa fluturime të kryheshin edhe pas orarit të zakonshëm të funksionimit të aeroportit.

Aeroporti u ka bërë thirrje udhëtarëve që, përpara nisjes, të kontrollojnë statusin e fluturimit me kompaninë ajrore, pasi situata mund të ndryshojë gjatë ditës.

Stuhitë kanë shkaktuar probleme edhe në pjesë të tjera të Zvicrës, me përmbytje, rrëshqitje dheu dhe qindra ndërhyrje të shërbimeve të emergjencës.

Trending