Trendy

Kurti: Janë miratuar 206.4 milionë euro nga fondet e BE-së për Kosovën

Para 2 orë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, me vlerë prej 180.5 milionë euro.

Sipas Kurtit, Komiteti i IPA-s ka dhënë dritën jeshile për këto projekte, ndërsa pas miratimit nga Komisioni Evropian, nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes Financiare nga Kuvendi, ato pritet të hyjnë në fazën e zbatimit.

“Dje, më 7 korrik, Bashkimi Evropian na njoftoi zyrtarisht se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë euro”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se, krahas këtyre fondeve, janë miratuar edhe tri grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në vlerë totale prej 25.9 milionë euro. Me këto mjete, sipas tij, Kosova do të përfitojë gjithsej 206.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian.

Kurti ka treguar se fondet do të orientohen në disa fusha prioritare, përfshirë:

mjedisin dhe klimën – 44 milionë euro;
energjinë – 34.5 milionë euro;
menaxhimin e kufijve dhe migrimin – 30.5 milionë euro;
konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin – 31.8 milionë euro;
qeverisjen e mirë dhe përafrimin me BE-në – 24.7 milionë euro;
sundimin e ligjit – 15 milionë euro.

Sipas kryeministrit në detyrë, rreth gjysma e këtyre fondeve do të përdoren për investime infrastrukturore, ndërsa projektet do të realizohen në bashkëpunim me partnerë të tjerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet vendore.

Ndër projektet e përfshira në grantet e WBIF-it janë asistenca teknike për përgatitjen e investimit infrastrukturor për hidrosistemin Ibër-Lepenc, asistenca teknike për segmentin e autostradës Qafë e Duhlës–Banullë, si dhe impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, për të cilin është ndarë grant investues prej 24.3 milionë euro në bashkëpunim me BERZH-in.

Trending