Bitcoin ka pësuar rënie të enjten, duke zbritur nën pragun e 82 mijë dollarëve, në një kohë kur tregjet financiare ndërkombëtare po përballen me pasiguri dhe presion nga shitjet e aksioneve, përcjell KosovaPress.
Sipas të dhënave të raportuara nga MarketWatch, kriptovaluta më e madhe në botë sipas kapitalizimit të tregut humbi rreth 3% të vlerës. Në të njëjtën kohë, Ethereum regjistroi rënie prej afro 4%, duke zbritur nën nivelin e 2.400 dollarëve.
Investopedia raportoi se Bitcoin tregtohej rreth 81.600 dollarë, pasi një ditë më parë kishte arritur vlerën prej 84.800 dollarësh. Rënie u regjistruan edhe te aksionet e kompanive të lidhura me industrinë e kriptovalutave, përfshirë Strategy dhe Coinbase.
Lëvizjet në treg erdhën në një periudhë kur investitorët po analizojnë rezultatet financiare të kompanive të mëdha teknologjike, si dhe kostot në rritje të investimeve në inteligjencën artificiale.
Ndërkohë, kontratat e së ardhmes për indekset kryesore të bursave amerikane shënuan gjithashtu rënie përpara hapjes së tregtimit, duke reflektuar klimën e pasigurisë mes investitorëve.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












