Uji në Gostivar ende nuk është i sigurt për pirje dhe përdorim, pasi përmban një bakter që është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve. Këtë e deklaroi sot Stojançe Angellov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në përgjigje të pyetjes se çfarë bakteri është gjetur në ujin e Gostivarit.
STOJANÇE ANGELLOV, DREJTOR I DREJTORISË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM
“Është konstatuar prania e Pseudomonas aeruginosa në ujin e pijshëm. Këto baktere e bëjnë ujin mikrobiologjikisht të papërshtatshëm dhe të pasigurt për konsum, pasi janë të rrezikshme për shëndetin, veçanërisht për njerëzit me imunitet të dobët. Ato shkaktojnë infeksione të lëkurës, syve dhe veshëve. Mund të shkaktojnë edhe infeksione të traktit urinar dhe të mushkërive te personat e ndjeshëm. Kanë rezistencë të lartë ndaj shumë ilaçeve dhe antibiotikëve të zakonshëm”.
Ndërkohë, sot janë angazhuar 3 cisterna me ujë të pijshëm dhe ujë teknik për nevojat e Gostivarit. Njëra është nga Njësia Territoriale e Zjarrfikësve në Gostivar, një nga Bechtel dhe Enka dhe një nga Bogovina. Deri tani, ato u janë dërguar qytetarëve nga dy herë secila, ndërsa planifikohet që deri në mbrëmje të dërgohen edhe dy furnizime të tjera me nga dy turne furnizimi. Shpërndarja po bëhet në koordinim të ngushtë me Shtabin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Gostivarit, shtoi Angellov. /SHENJA/










