Trendy

Azizi: Mos prekni heronjtë e luftës, Tahir Sinani mbetet simbol i lirisë dhe idealit kombëtar

Para 40 minuta

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ndaj deklaratave që, sipas tij, cenojnë figurat e luftës shqiptare, duke kërkuar që të mos preken heronjtë e kombit për interesa politike.

“Në momentin kur etja për të mbrojtur pozitat politike errëson arsyen, njerëzit arrijnë deri aty sa të baltosin edhe figurat më të ndritura të kombit. Kjo është jo vetëm përdhosje e rëndë, por edhe një varfëri e madhe morale dhe kombëtare”, shkruan Azizi.

Ai ka kundërshtuar ashpër cilësimin e Tahir Sinanit si mercenar, duke theksuar se ai ishte komandant dhe luftëtar lirie që mori pjesë në tri luftëra për çështjen shqiptare.

“Të quash mercenar Tahir Sinanin është një akuzë që flet më shumë për ata që e bëjnë sesa për vetë Tahir Sinanin. Ai nuk luftoi për pasuri, privilegje apo poste. Ai zgjodhi rrugën më të vështirë, duke flijuar jetën për idealin e lirisë dhe dinjitetit kombëtar”, thekson deputeti.

Sipas Azizit, është tragjike kur për interesa të ngushta politike tentohet të rishkruhet historia dhe të njollosen ata që sakrifikuan gjithçka për kombin.

Ai vlerëson se Tahir Sinani mbetet një nga figurat më të respektuara të rezistencës shqiptare dhe një simbol i përkushtimit ndaj lirisë dhe idealit kombëtar.

“Herojtë mund të sulmohen, mund të shpifen dhe mund të baltosen përkohësisht, por sakrifica e tyre mbetet më e fortë se çdo propagandë dhe më e qëndrueshme se çdo pushtet kalimtar”, përfundon Azizi.

Trending