Kandidati i Aleancës për Integrim (AKI) për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka zhvilluar një vizitë në lagjen Jashtë-Vardarit, ku ka theksuar gjendjen e rënduar infrastrukturore dhe problemet e shumta me ujësjellësin.
“Sonte vizituam lagjen Jashtë-Vardarit, aty ku premtimet e rreme janë kthyer në makth për banorët. Punimet e nisura për ujësjellësin kanë mbetur përgjysmë, duke lënë pas rrugë të shkatërruara, automjete të dëmtuara dhe familje të tëra pa ujë. Ky është realiteti i improvizimeve dhe mashtrimeve të pushtetit aktual”, deklaroi Rexhepi.
Ai shtoi se Tetova ka nevojë për një mënyrë të re të qeverisjes lokale, ku fjala e dhënë të kthehet në punë konkrete dhe jo në premtime të pambajtura.
“Më 19 tetor, Tetova i jep fund këtij modeli të dështuar, sepse qyteti ynë meriton punë me plan, përgjegjësi dhe dinjitet për çdo lagje”, u shpreh Rexhepi.





