Trendy

BDI: Asnjë shqiptar në mesin e 10 drejtorëve të Ministrisë së Mbrojtjes

Para 3 javë

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar për përfaqësimin e shqiptarëve në pozitat drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes, duke pretenduar se të dhënat zyrtare tregojnë se të dhjetë drejtorët e këtij institucioni janë maqedonas.

Sipas BDI-së, aktualisht asnjë shqiptar nuk ushtron funksion drejtues në nivel drejtorie në Ministrinë e Mbrojtjes.

Nga kjo parti vlerësojnë se një disproporcion i tillë paraqet goditje ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, i cili, sipas tyre, është një nga shtyllat e stabilitetit institucional dhe të marrëdhënieve ndëretnike në vend.

“Sektori i sigurisë dhe mbrojtjes kërkon besim të ndërsjellë, balancë dhe përfshirje të të gjitha komuniteteve. Përjashtimi i shqiptarëve nga nivelet ku merren vendimet strategjike cenon këtë besim, krijon ndjenjë margjinalizimi dhe dëmton karakterin multietnik të institucioneve që kanë përgjegjësi për sigurinë e të gjithë qytetarëve”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Partia opozitare ka kritikuar edhe koalicionin VLEN, duke e akuzuar se gjatë më shumë se dy viteve në pushtet nuk ka arritur të sigurojë përfaqësim minimal të shqiptarëve në institucionet kyçe të sigurisë.

Sipas BDI-së, mungesa e rezultateve tregon paaftësi për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe heshtje përballë vendimeve që kjo parti i cilëson si diskriminuese.

“Përfaqësimi i drejtë në institucionet e sigurisë nuk është vetëm çështje statistikash. Ai është garanci për besimin, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të shtetit”, përfundon kumtesa e BDI-së.

Trending