Trendy

Burimet e energjisë së ripërtëritshme rregullohen me ligj të veçantë

Para 2 orë

U miratua Ligji i ri për shfrytëzimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, me ç’rast Maqedonia ndërmori një nga hapat më të rëndësishëm reformues në sektorin e energjetikës gjatë dekadave të fundit. Për herë të parë, burimet e ripërtëritshme të energjisë rregullohen me një ligj të veçantë (Lex specialis), i cili vendos një kornizë moderne, të harmonizuar me standardet evropiane dhe të parashikueshme ligjore për zhvillimin e energjisë së pastër.
Me miratimin e këtij ligji, shteti dërgon një mesazh të qartë se burimet e ripërtëritshme të energjisë po bëhen një nga shtyllat kryesore të politikës kombëtare energjetike, me synim forcimin e sigurisë energjetike, uljen e varësisë nga importi i energjisë, hapjen e një cikli të ri investimesh dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër.

Me këtë Ligj, në legjislacionin kombëtar transpozohen rregullat më të reja evropiane, përfshirë Direktivën për promovimin e përdorimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, harmonizimi dhe miratimi i së cilës përbën pjesë të Agjendës së Reformave. Në kuadër të procesit të tranzicionit energjetik parashikohen masa dhe aktivitete të orientuara drejt diversifikimit të modelit ekonomik përmes zhvillimit të bazuar në dije dhe përdorimit më efikas të burimeve, nxitjes së investimeve, zhvillimit të infrastrukturës së gjelbër dhe inteligjente, energjisë së pastër dhe zhvillimit të aftësive, si dhe uljes graduale të varësisë nga lëndët djegëse fosile.
Zgjidhja e re ligjore ka për qëllim të forcojë sigurinë e furnizimit me energji, të mundësojë përmbushjen e detyrimeve të marra me ratifikimin e Marrëveshjes së Parisit, të kontribuojë në arritjen e objektivave kombëtare detyruese për pjesëmarrjen e energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtëritshme në konsumin bruto përfundimtar të energjisë, si dhe të sigurojë përputhshmëri me dokumentet strategjike dhe planifikuese kombëtare në fushën e energjetikës, përfshirë edhe Planin Kombëtar të Integruar për Energji dhe Klimë.

Trending