Igor Dodik, djali i liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, është mandatuar këtë të diel, më 22 nëntor, për formimin e qeverisë së re të Republikës Srpska, entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës.
Vendimi u njoftua nga presidenti i Republikës Srpska, Savo Minić, pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive të koalicionit qeverisës. Igor Dodik, i cili mban postin e sekretarit organizativ të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), pritet të bëhet kryeministri më i ri në historinë e këtij entiteti.
Minić deklaroi se për kandidaturën e tij është arritur një konsensus i gjerë mes partive të koalicionit dhe se qeveria e re duhet të formohet deri në mesin e dhjetorit. Sipas tij, kabineti i ardhshëm do të jetë një qeveri e vazhdimësisë, por me fokus më të madh te modernizimi i administratës, zhvillimi ekonomik dhe përdorimi i teknologjive të reja.
Pas marrjes së mandatit, Igor Dodik deklaroi se e pranon përgjegjësinë dhe se synon të forcojë ekonominë dhe institucionet e Republikës Srpska. Ai premtoi transparencë në administrimin e fondeve publike, paga dhe pensione të qëndrueshme, si dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimit.
Dodik u ndal edhe te marrëdhëniet me Serbinë, duke theksuar se bashkëpunimi me Beogradin do të zërë një vend të veçantë në programin e qeverisë së ardhshme. Sa i përket Bashkimit Europian, ai deklaroi se qëndrimi ndaj Brukselit do të varet nga respekti që institucionet europiane do të tregojnë ndaj Republikës Srpska.
Igor Dodik, 37 vjeç, është diplomuar për ekonomi dhe menaxhim në Universitetin Bocconi të Milanos. Ai u zgjodh deputet në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit dhe konsiderohet një nga figurat në ngjitje brenda SNSD-së, partisë së drejtuar nga babai i tij.
Mandatimi i tij vjen në një moment të rëndësishëm politik për Republikën Srpska, pas largimit të Milorad Dodikut nga posti i presidentit si pasojë e një vendimi gjyqësor që i ndalon ushtrimin e funksioneve publike për gjashtë vjet.
Sipas Kushtetutës së Republikës Srpska, kandidati i propozuar për kryeministër duhet të marrë miratimin e Asamblesë Kombëtare. Afati kushtetues për zgjedhjen e qeverisë së re është 40 ditë nga propozimi i kandidaturës.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












