Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Dokument/ Grupi i këshilltarëve të VLEN-it në Butel kërkon vendosjen e mbishkrimeve edhe në gjuhën shqipe në Mega Park

Dokument/ Grupi i këshilltarëve të VLEN-it në Butel kërkon vendosjen e mbishkrimeve edhe në gjuhën shqipe në Mega Park

Grupi i këshilltarëve komunalë të VLEN-it në Komunën e Butelit ka kërkuar zyrtarisht vendosjen e mbishkrimeve edhe në gjuhën shqipe në Mega Park, si dhe respektimin e dygjuhësisë në hapësirat publike ku një gjë e tillë parashihet me ligj.

 

Përmes një reagimi të bërë publik nga këshilltari komunal Usein Ramadani, në emër të grupit të këshilltarëve të VLEN-it, thuhet se ata e përshëndesin çdo investim që është në interes të qytetarëve, pavarësisht se kush e realizon.

 

Këshilltarët e VLEN-it ishin të pranishëm edhe në hapjen e Mega Parkut në Butel, por theksojnë se mbështetja për investimet nuk nënkupton heshtje për çështjet që lidhen me respektimin e të drejtave gjuhësore.

 

Në reagim rikujtohet se, sipas regjistrimit zyrtar të vitit 2021, shqiptarët përbëjnë 37,12 për qind të popullsisë së Komunës së Butelit. Sipas tyre, kjo përqindje dëshmon rëndësinë e zbatimit të dispozitave ligjore për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në këtë komunë.

 

Për këtë arsye, grupi i këshilltarëve të VLEN-it ka dorëzuar kërkesë zyrtare për vendosjen e mbishkrimit edhe në gjuhën shqipe në Mega Park, si dhe për respektimin e dygjuhësisë në tabelat, sheshet, rrugët dhe hapësirat e tjera publike, aty ku këtë e parasheh ligji.

 

“Investimet i përshëndesim, të drejtat i kërkojmë dhe ligjin e respektojmë!”, thuhet në reagimin e grupit të këshilltarëve të VLEN-it në Butel.

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme