Trendy

Erdogan: Tragjedia e Srebrenicës po përsëritet sot në Gaza, komuniteti ndërkombëtar nuk ka mësuar asgjë!

Para 32 minuta

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se Ankaraja refuzon çdo deklaratë apo qëndrim që synon mohimin e gjenocidit në Srebrenicë ose lavdërimin e kriminelëve të luftës, në kundërshtim me vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

Deklarata e Erdoganit u transmetua përmes një mesazhi video me rastin e përvjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, të ndodhur në korrik të vitit 1995, ku u vranë mijëra boshnjakë.

Presidenti turk ritheksoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë pa kushte integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës.

Duke iu referuar edhe sulmeve të vazhdueshme izraelite në Gaza, Erdogan u shpreh se komuniteti ndërkombëtar dikur heshti përballë tragjedisë së Srebrenicës dhe se, sipas tij, edhe sot po mbetet spektator ndaj vuajtjeve të palestinezëve.

“Bota nuk duhet të harrojë mësimet nga Srebrenica dhe duhet të punojë që krime të tilla të mos përsëriten më”, deklaroi Erdogan, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të sigurimit të drejtësisë për viktimat.

Gjenocidi i Srebrenicës ndodhi në korrik të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë pas pushtimit të zonës së mbrojtur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në përfundim të mesazhit të tij, Erdogan theksoi se Turqia do të vijojë të mbështesë paqen dhe stabilitetin në Bosnjë-Hercegovinë, si edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Trending