Trendy

Galeria e Arteve Tetovë hap ekspozitën personale “Black & White” të artistit Lavdrim Alili

Para 3 orë

Në hapësirat e I.N. Galeria e Arteve në Tetovë u hap ekspozita e parë personale me fotografi digjitale “Black & White” e artistit dhe profesorit tetovar, Lavdrim Alili, shkruan tetova1

Para artdashësve dhe mysafirëve të shumtë, autori prezantoi 30 fotografi digjitale bardh e zi, të cilat përmes objektivit artistik sjellin emocione, kontraste dhe momente të jetës së përditshme të trajtuara me ndjeshmëri të veçantë estetike.

Hapjen zyrtare të ekspozitës e bëri ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Galerisë së Arteve, Arbenita Meta, e cila vlerësoi lart punën dhe qasjen artistike të Lavdrim Alilit.

“Kam kënaqësinë të hap ekspozitën personale me fotografi digjitale “Black & White” të artistit dhe profesorit tetovar Lavdrim Alili. Kjo ekspozitë është pjesë e programit vjetor të I.N. Galeria e Arteve Tetovë dhe realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Përmes objektivit të tij artistik, Lavdrim Alili sjell një botë emocionesh, kontrastesh dhe momentesh të kapura me ndjeshmëri të veçantë artistike. Fotografitë bardh e zi përcjellin mesazhe të fuqishme nga ngjarjet dhe ndodhitë e përditshme, duke e kthyer realitetin e jetës në art përmes dritës, hijes dhe kompozimit estetik”, tha Meta.

Në kuadër të hapjes së ekspozitës foli edhe historianja e artit dhe profesoresha dr. Vlora Demiri, e cila para të pranishmëve prezantoi tekstin kuratorial me titull “Hije dhe Heshtje”, duke analizuar dimensionin artistik dhe filozofik të fotografive të Alilit.

Ajo theksoi se ekspozita trajton hijen dhe heshtjen jo si mungesë drite apo zëri, por si pjesë themelore të ekzistencës njerëzore dhe përvojës së brendshme.

“Në portretet e Alilit, ky moment nuk qëndron në dramatizim apo efekt, por në qetësinë e pranisë. Në një shikim që nuk kërkon të bindë, por thjesht të ekzistojë”, u shpreh Demiri mes tjerash.

Sipas saj, fotografia e Lavdrim Alilit nuk funksionon si përfaqësim i thjeshtë i realitetit, por si një përjetim estetik dhe emocional që krijon dialog mes shikuesit dhe subjektit të fotografuar.

Autori i ekspozitës, Lavdrim Alili, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe Galerinë e Arteve për organizimin dhe mbështetjen në realizimin e ekspozitës së tij të parë personale.

Ekspozita “Black & White” do të qëndrojë e hapur deri më 4 qershor./tetova1.mk

Trending