Mungesa e sinjalizimit horizontal në shumë rrugë të Tetovës vazhdon të jetë një problem i madh për pjesëmarrësit në komunikacion. Në disa akse rrugore, vijat e bardha për këmbësorë, vijëzimet ndarëse të korsive dhe shenjat e tjera horizontale ose mungojnë plotësisht, ose janë aq të zbehura saqë vështirë dallohen.
Edhe në rrugët ku është bërë shënjimi, vijat e bardha nuk qëndrojnë gjatë. Pas një periudhe të shkurtër, ato fillojnë të humbin dukshmërinë, duke bërë që investimi në sinjalizimin rrugor të mos japë efektin e pritur. Kjo situatë ka ngritur shqetësime për sigurinë e këmbësorëve dhe të drejtuesve të automjeteve, veçanërisht gjatë natës, në kushte të motit të keq dhe në pjesët e qytetit me qarkullim të shtuar.Kryetar i komunës së Tetovës Bilall Kasami gjatë një takimi me gazetarë tha se mirëmbajtja e vijave të bardha bëhet rregullisht por shpesh herë nga pluhuri humb dukshmëria, ndërsa përmendi se larja e rrugëve kontribuon që të ketë sinjalizim më të mirë duke premtuar një përkushtim më të madh në këtë drejtim. Qytetarët nga ana tjetër presin që institucionet kompetente të ndërmarrin masa konkrete për rinovimin dhe mirëmbajtjen e sinjalizimit horizontal, duke përdorur materiale më cilësore dhe më rezistente ndaj qarkullimit të automjeteve dhe kushteve atmosferike.Sipas vozistësve sinjalizimi rrugor nuk duhet të jetë vetëm një ndërhyrje e përkohshme, por një standard i vazhdueshëm për sigurinë në rrugët e Tetovës.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












