Trendy

Për çfarë lloj reformash ka nevojë sistemi pensional

Para 2 orë

Debati mbi të ardhmen e sistemit pensional në Maqedoninë e Veriut është riaktualizuar sidomos pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili shprehu dyshime mbi efektet e shtyllës së dytë pensionale, skepticizmi i tij ngre dilema nëse ky model është i qëndrueshëm dhe a do të sigurojë pensione të mjaftueshme për gjeneratat e ardhshme?

Pensionistët në hall

Nga njëra anë, Qeveria dhe Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional të Financuar(AMSPF) insistojnë se kthimet në fondet e kapitalizuara po rriten dhe se sistemi është i ndërtuar për mbrojtje afatgjatë. Ata theksojnë se lartësia e pensioneve varet nga kontributet individuale, vitet e punës dhe faktorë të tjerë teknikë. Në këtë kuptim, shtylla e dytë shihet si një mekanizëm që shpërndan rrezikun dhe krijon mundësi për kursime më të mëdha.

Nga ana tjetër, Mickoski artikulon një shqetësim politik dhe ekonomik ku pritjet e qytetarëve mund të mos përputhen me realitetin e llogarive të tyre. Ai sugjeron se vendi duhet të kthehet në sistem me një shtyllë, duke përmendur shembuj të vendeve si Sllovenia, Hungaria dhe Polonia. Por ky argument ngre dilema se a është krahasimi i drejtë, duke pasur parasysh se strukturat demografike dhe ekonomike të vendeve ndryshojnë ndjeshëm?

Në fakt, sistemi pensional nuk është thjesht çështje teknike apo administrative por është edhe politike edhe sociale. Rënia e popullsisë aktive dhe rritja e numrit të pensionistëve e bën çdo model të rrezikshëm. Shtylla e dytë u fut pikërisht për të balancuar këtë presion, duke e lidhur pensionin me kursimet individuale dhe investimet në tregjet financiare.

Megjithatë, problemi kryesor nuk është ekzistenca e shtyllës së dytë, por mënyra se si ajo menaxhohet. Transparenca e fondeve, diversifikimi i portofolave, mbrojtja e kursimeve nga luhatjet e tregut dhe edukimi financiar i qytetarëve janë elementët që vendosin nëse ky sistem do të japë rezultate. Ndryshimet ligjore të paralajmëruara me portofola të ndryshme sipas moshës së kontribuuesve janë hap në drejtimin e duhur, por nuk mjaftojnë pa një strategji të qartë afatgjatë.

Trending