Trendy

Përplajse para Parlamentit në Shqipëri, policia hedh gaz lotsjellës e ujë ndaj protestuesve

Para 2 javë

Protesta e zhvilluar para Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit, ndërsa pritej nisja e seancës plenare. Ndryshe nga protestat e mëparshme, Policia e Shtetit kishte vendosur një perimetër të zgjeruar sigurie rreth godinës së Parlamentit, duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve nga Rruga e Elbasanit deri pranë Ministrisë së Brendshme.

Deputetët kanë hyrë në Kuvend kryesisht nga hyrja anësore pranë Pedonales, pa u përballur me incidente fizike, por janë shoqëruar nga thirrjet e protestuesve kundër tyre. Mes sloganeve të dëgjuara ishin “Deputetë frikacakë”, “Nuk na përfaqësoni”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Situata u tensionua kur protestuesit, të ndodhur përballë kordonit policor, nisën të hedhin vezë dhe domate në drejtim të efektivëve. Momenti më i fortë i përplasjes u shënua pranë hyrjes kryesore të qendrës tregtare “Toptani”, ku pas kalimit të një gruaje së bashku me një familjar me aftësi të kufizuara, disa protestues tentuan të shfrytëzonin hapësirën për të çarë kordonin e sigurisë.

Protestuesit arritën të heqin një pjesë të gardhit metalik të vendosur nga Policia dhe u përplasën me efektivët, duke i qëlluar me vezë dhe domate. Nga përplasjet mbetën të lënduar tre punonjës policie, ndërsa një prej tyre pësoi dëmtime në kokë./AlbanianPost

Trending