Trendy

Prapaskenat e luftës me Iranin: Si u përplasën SHBA-ja dhe Izraeli

Para 3 orë

Uashingtoni synonte dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit, ndërsa Izraeli kërkonte rrëzimin e regjimit. Vrasja e Ali Larijanit thuhet se thelloi mosmarrëveshjet mes dy aleatëve.

Lufta kundër Iranit mund të ketë nisur si një operacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në fund të shkurtit, por me kalimin e javëve u shfaqën dallime të theksuara mes Uashingtonit dhe Tel Avivit lidhur me objektivat strategjikë të konfliktit, raporton The Washington Post, duke cituar zyrtarë amerikanë.

Sipas raportit, Izraeli synonte rrëzimin e regjimit iranian, duke besuar se inteligjenca e tij i krijonte kushtet për arritjen e këtij objektivi. Administrata amerikane, në të kundërt, vlerësoi që në fillim se një ndryshim regjimi nuk ishte realist gjatë konfliktit dhe u përqendrua në goditjen e kapaciteteve ushtarake dhe detare të Iranit.

Në muajt mars dhe prill, SHBA-ja u orientua drejt diplomacisë, duke kërkuar negociata me Teheranin. Sipas The Washington Post, Uashingtoni i kërkoi Izraelit të shmangte eliminimin e figurave politike iraniane që konsideroheshin pragmatike dhe që mund të luanin rol në bisedimet e ardhshme.

Aaron David Miller, ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe këshilltar i administratave republikane dhe demokrate, tha për gazetën se zhvillimet nxorën në pah dallimet strategjike mes dy aleatëve.

“Kjo zbulon divergjencën në objektivat e luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit dhe pasqyron vendosmërinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të minuar çdo negociatë përmes së cilës SHBA-ja mund të arrinte rezultate”, u shpreh ai.

Sipas zyrtarëve të cituar në raport, mosmarrëveshjet u thelluan pas vrasjes së Ali Larijanit, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, në një sulm ajror izraelit në mesin e marsit. Vdekja e tij u konfirmua edhe nga autoritetet iraniane.

Një zyrtar perëndimor, i cituar nga The Washington Post, tha se kjo ishte pika vendimtare e përplasjes mes aleatëve.

“Pika e kthesës nuk ishte vrasja e udhëheqësit suprem Ali Khamenei, por eliminimi i Larijanit. Uashingtoni po kërkonte një zyrtar iranian me të cilin mund të punonte dhe papritur ai nuk ishte më”, tha ai.

Edhe presidenti amerikan Donald Trump la të kuptohej në mars se fushata izraelite e vrasjeve të synuara kishte ndërlikuar përpjekjet diplomatike.

“E dini, është pak e vështirë… Ata pothuajse i kanë eliminuar të gjithë… Nuk dua t’i vras”, u tha Trump gazetarëve në atë kohë.

Sipas autoriteteve iraniane, Larijani u vra së bashku me djalin e tij, Morteza, dhe disa persona të tjerë në një sulm ndaj banesës së vajzës së tij në zonën Pardis, në verilindje të Teheranit, gjatë orëve të para të 16–17 marsit. Izraeli mori përgjegjësinë për operacionin, ndërsa Irani deklaroi se sulmi u krye nga avionë luftarakë izraelitë dhe amerikanë.

Trending