Shkruan Valon Idrizi:
Të destinuar për të dështuar.
Fatkeqësisht, është bërë praktikë që projektet publike të ndërtohen për fotografi inaugurimi, jo për funksionalitet. Mjafton të pritet shiriti, ndërsa pasojat e planifikimit të dobët u lihen qytetarëve.
Edhe ky rrethrrotullim rrezikon të jetë një tjetër shembull i një investimi që dështon ta përmbushë qëllimin e tij që në momentin e inaugurimit. Në vend që ta lehtësojë komunikacionin, ai po krijon një pikë të re bllokimi. Në një nyje me qarkullim të madh, ku kishte hapësirë të mjaftueshme për një zgjidhje shumë më efikase me dy korsi dhe hyrje ndihmëse, është zgjedhur një projekt që e kufizon kapacitetin e rrugës.
Rezultati është i parashikueshëm që sot. Kolonat do të bëhen pjesë e përditshmërisë, ndërsa gjatë sezonit veror ky segment do të shndërrohet në një ngushticë trafiku. Kjo nuk është pasojë e mungesës së hapësirës, por e mungesës së vizionit dhe planifikimit profesional.
Paratë publike nuk janë për eksperimente, as për projekte që duken mirë në fotografi, por dështojnë në përdorim. Çdo investim duhet të zgjidhë një problem, jo të krijojë një të ri.
Sepse gabimet në infrastrukturë nuk zgjasin vetëm gjatë ndërtimit. Ato i paguajnë qytetarët çdo ditë, me kohë të humbur, kolona të gjata, konsum më të madh të karburantit dhe frustrim, për vite me radhë. /tetova1/










