Trendy

Shpallen vende të reja pune në tri ministri, ja çfarë rroga ofrohen!

Para 1 orë

Valës së madhe të punësimeve në administratën shtetërore pas procesit zgjedhor po i bashkëngjiten edhe tri ministri të rëndësishme: Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Ministria për Transformim Digjital dhe Ministria e Energjetikës. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia për Administratë, numri i përzgjedhjes së administratorëve të rinj gjatë vitit 2025 ka shënuar një rritje frikësuese prej 132.62% krahasuar me vitin paraprak.

Edhe pse kërkohen kritere të larta, arsim superior dhe përvojë pune, pagat që ofrohen mbeten larg pritshmërive të tregut privat.
Ja pozicionet e shpallura dhe pagat që do të marrin të punësuarit e rinj:

1. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) – Tre vende pune:
Referent i pavarur për arsim të lartë (në Sektorin për Arsim të Lartë): Kërkohet arsim i lartë ose i mesëm dhe 3 vite përvojë pune. Paga: 31.670 denarë.
Bashkëpunëtor për përgatitjen e materialeve në koordinim buxhetor (Sektori i Financave): Kërkohet fakultet ekonomik dhe 1 vit përvojë pune. Paga: 37.686 denarë.
Këshilltar për ekuivalencë dhe nostrifikim të arsimit të lartë: Kërkohet diplomë në shkencat shoqërore (drejtësi, ekonomi, biznes ose arsim) dhe 3 vite përvojë pune. Paga: 40.818 denarë.

2. Ministria për Transformim Digjital – Dy pozicione:
Bashkëpunëtor i ri për të dhëna në fushën e komunikimeve elektronike: Kërkohet diplomë në elektronikë, elektroteknikë ose inxhinieri informatike. Përvoja e punës nuk është e detyrueshme. Paga: 35.744 denarë.
Bashkëpunëtor i lartë për punë analitike-studiuese (në Sektorin për Prokurime Publike): Kërkohet arsim i lartë, 2 vite përvojë pune dhe provim i dhënë për prokurime publike. Paga: 38.627 denarë.
(Për të dyja pozicionet kërkohet njohje e shkëlqyer e njërës prej gjuhëve të BE-së: anglisht, frëngjisht ose gjermanisht).

3. Ministria e Energjetikës – Një pozicion:
Referent për punë dokumentacioni në prokurime publike: Kërkohet arsim i lartë ose i mesëm, 1 vit përvojë pune në profesion si dhe njohje e kompjuterëve dhe e njërës prej gjuhëve të BE-së. Paga: 31.043 denarë.
Kushtet e përgjithshme – Kandidatët duhet të jenë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të zotërojnë gjuhën maqedonase, të jenë të moshës madhore dhe të mos kenë ndalesë me vendim gjykate për ushtrimin e profesionit.

Kjo valë masive punësimesh vjen paralelisht me shpalljet e fundit nëpër shkolla fillore, komuna, por edhe në institucione kyçe si Këshilli Fiskal, Banka Popullore (NBRSM), Kuvendi, Ministria e Transportit, Ministria e Financave, Sekretariati Gjeneral i Qeverisë, si dhe shpalljet e fundit që u realizuan në Drejtorinë e Të Ardhurave Publike (DAP).(INA)

Të gjitha shpalljet për punësimet e reja kliko KËTU

Trending