Trendy

Si do të duket Qeveria Mickoski 2, do të ndërrohen më shumë ministra?

Para 2 orë

Javën e ardhshme do të jetë epilogu dhe do të dihet se kush ikën dhe kush do të bëhet pjesë e Qeverisë së kryeministrit aktual Hristijan Mickoski, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM. Kjo e fundit ende po reziston dhe po negocion për të ruajtur pozitat ministrore që i udhëheq.

Në opinion tashmë po dalin informacionet e para nga negociatat midis partnerëve qeveritarë, të cilat ende nuk janë përfundimtare. Drejtësia, Shëndetësia, Kultura, Çështjet Evropiane, Ministria për Bashkësite Etnike, Bujqësia dhe Sporti janë pjesë e ministrive në të cilat është gjithnjë e më e sigurt se do të ulen ministra të rinj.

Nga lëvizja ZNAM as nuk i mohojnë e as nuk i konfirmojnë informacionet se do të mbeten pa Ministrinë e Drejtësisë. Në këmbim, VMRO-DPMNE po u ofron Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa ata vetë synojnë Ministrinë e Brendshme, Mbrojtjen ose Financat. Ata theksojnë se para dy viteve kanë hyrë në qeveri jo për të kënaqur ambiciet personale, por për realizimin e programit.

“Kemi pasur disa takime në nivel liderësh partiakë dhe ekipet negociuese po punojnë në vazhdimësi. Mbi tryezë janë të gjitha temat e hapura. Nuk ka marrëveshje përfundimtare për asnjë çështje. Presim epilog rreth mesit të javës së ardhshme,” deklaroi Nikolla Memov, zëdhënës i ZNAM.

Nëse zyrtarizohet largimi i Filkovit, në kolltukun e Ministrisë së Drejtësisë mund të ulet një kuadër i koalicionit VLEN. Emri më i përfolur është profesori universitar Jeton Shasivari, i cili është edhe anëtar i Komisionit të Venecias.

Një nga emrat e përfolur për tu ndërruar është ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Ky i fundit sot komentoi zërat se a do të mbetet ministër ose jo.

“Unë nuk e kam filluar karrierën time me funksion politik dhe nuk besoj se do ta përfundoj karrierën time me funksion politik, sepse kjo nuk është e shëndetshme, e para për mua, dhe e dyta për infrastrukturën politike në vend – që të keni një njeri i cili me vite do të jetë në funksion politik. Kjo është një çështje institucionale, nuk është çështje personale, sepse unë nuk kam aplikuar, nuk ka pasur konkurs që të aplikoj për t’u bërë ministër, por ky është një funksion politik, institucional, dhe institucionet duhet të përgjigjen se kush do të jetë në krye të një ministrie, në këtë rast të Shëndetësisë,” deklaroi ministri aktual i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Për vendin e Aliut po përmendet ministri i Çështjeve Evropiane dhe zëvendëskryeministri Bekim Sali, i cili më parë ka qenë në këtë pozitë në qeverinë e udhëhequr nga LSDM, por nuk përjashtohet mundësia që këtë dikaster ta marrë edhe VMRO-DPMNE.

Ndryshime po paralajmërohen edhe në Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Sportit dhe Ministrinë e Politikës dhe Punëve Sociale. Kultura dhe Sporti po përmenden kuadro nga VLEN. Por megjithatë në fundjavë do të mësohen detajet e para lidhur me emrat e mundshëm për postet ministrore. (INA)

Trending