Qeveria talebane në Afganistan përkohësisht ka ndaluar shahun për shkak të shqetësimeve se loja përbën formë të lojërave të fatit. Autoritetet deklaruan se loja është ndaluar për një periudhë të pacaktuar derisa të përcaktohet përputhshmëria e saj me ligjin islamik.
Shahu është sporti më i fundit që është kufizuar nga talebanët. Grave, në thelb, u ndalohet të merren me sport. Që kur morën pushtetin në gusht të vitit 2021, talebanët vazhdimisht kanë imponuar ligje dhe rregulla që pasqyrojnë vizionin e tyre të rreptë për ligjin islamik.
Dje, Atal Mashwani, zëdhënës i Drejtorisë së Sportit të qeverisë talebane, tha se shahu në ligjin islamik të Sheriatit “konsiderohet si mjet për lojë fati”.
“Ekzistojnë konsiderata fetare lidhur me sportin e shahut. Derisa të zgjidhen këto çështje, sporti i shahut është pezulluar në Afganistan,” tha ai për agjencinë e lajmeve AFP.
Një pronar kafeneje në Kabul, ku prej vitesh organizoheshin ndeshje joformale shahu, tha se do ta respektojë vendimin, por se kjo do t’i dëmtojë biznesin.
“Të rinjtë nuk kanë shumë aktivitete këto ditë, dhe shumë prej tyre vinin çdo ditë këtu. Pinë një filxhan çaj dhe sfidonin miqtë në një lojë shahu,” tha Azizullah Gulzada, duke shtuar se shahu luhet edhe në vende të tjera me shumicë myslimane.
Vitën e kaluar, autoritetet ndaluan edhe artet marciale të lira si MMA në gara profesionale, duke thënë se ato janë tepër “të dhunshme” dhe “problematike në raport me Sheriatin”.





