Sipas parashikimit më të fundit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), Maqedoninë sot e pret mot kryesisht me diell dhe i nxehtë, me vranësira të pakta deri mesatare.
Gjatë ditës do të fryjë erë mesatare, herë pas here e përforcuar, kryesisht nga drejtimi verior. Në orët e pasdites, për shkak të paqëndrueshmërisë lokale, në disa zona mund të ketë reshje të shkurtra shiu dhe bubullima të rralla.
Temperaturat do të mbeten të larta, ndërsa në ditët në vijim pritet rritje e mëtejshme e tyre, me vlera maksimale që në disa rajone do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius.
Në Shkup dhe rrethinë do të mbizotërojë mot me diell dhe i nxehtë. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga veriu, ndërsa temperatura maksimale do të arrijë rreth 34 gradë Celsius. Edhe në ditët e ardhshme pritet rritje e temperaturave.
Për shkak të temperaturave të larta, autoritetet rekomandojnë shmangien e qëndrimit të gjatë në rrezet e drejtpërdrejta të diellit gjatë orëve më të nxehta të ditës, konsumimin e sasive të mjaftueshme të lëngjeve dhe kujdes të shtuar gjatë aktiviteteve në ambiente të hapura.
Sipas parashikimeve, moti do të mbetet i qëndrueshëm dhe i nxehtë edhe në ditët në vijim, me mundësi për ndryshime të shkurtra lokale në orët e pasdites./INA/










