Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Vëllai i Liridonës kundërshton seancën e mbyllur për publikun: Bota duhet ta shohë punën e gjykatës

Vëllai i Liridonës kundërshton seancën e mbyllur për publikun: Bota duhet ta shohë punën e gjykatës

Vëllai i Liridona Ademajt ka reaguar pas seancës së mbajtur në Gjykatën e Apelit për rastin e vrasjes së motrës së tij, duke kundërshtuar vendimin e gjykatës për të mos lejuar raportimin e mediave nga seanca.

Sipas tij, institucionet e drejtësisë duhet të dëshmojnë përgjegjësi dhe transparencë në trajtimin e rasteve të tilla, në vend që proceset të zhvillohen larg vëmendjes së publikut.

“Kur na vriten motrat, gjykata duhet t’i tregojë botës se drejtësia po e bën punën e saj me transparencë dhe përgjegjësi, e jo që procesi të zhvillohet në fshehtësi”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar se nuk ekziston ndonjë rrethanë e re që, sipas tij, do ta arsyetonte përjashtimin e mediave dhe publikut nga seancat në Gjykatën e Apelit.

Lexo edheMenduh Thaçi për Specialen: Në nëntor pritet të publikohet vendimi, aty do të shihet kush ka dëshmuar kundër Hashim Thaçit

“Në seancat e Apelit nuk ka asgjë të re që të arsyetojë mbylljen e tyre nga mediat dhe publiku”.

Ai ka përsëritur kërkesën e familjes për drejtësi dhe transparencë gjatë gjithë procesit gjyqësor.

“Ne kërkojmë drejtësi për Liridonën dhe transparencë në çdo hap të këtij procesi”.

Gjykata e Apelit e ka mbyllur për publikun seancën ku po shqyrtohen ankesat ndaj aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt, për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë i dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim.

Seanca është mbajtur e mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe marrëdhënieve familjare.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të 2023-ës në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ndodhej në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murselin, dhe dy fëmijët e tyre.

Sipas aktakuzës, Murseli e kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes, ndërsa Plava ishte personi që e kreu atë me armë zjarri. Prokuroria kishte deklaruar se Murseli i kishte premtuar Plavës 30 mijë euro, ndërsa Kokalla kishte ndërmjetësuar kontaktin mes tyre.

Gjatë procesit gjyqësor, Murseli dhe Kokalla i kishin mohuar akuzat, ndërsa Plava kishte dhënë deklarime lidhur me marrëveshjen e pretenduar me Murselin.

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme