Rënia e ndjeshme e çmimit të naftës pas rezultateve të zgjedhjeve afatmesme në SHBA lidhet me pritshmëritë e tregjeve për një rikthim të diplomacisë mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Kështu vlerëson Bill Farren-Price, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Institutin e Oksfordit për Studime të Energjisë, sipas të cilit tregjet po reflektojnë bindjen se mundësia e një zgjidhjeje diplomatike mes dy vendeve është rikthyer.
Megjithatë, eksperti paralajmëron se optimizmi mund të jetë i parakohshëm. Sipas tij, negociatat mes SHBA-së dhe Iranit janë tepër të ndërlikuara dhe gjatë muajve të fundit janë shfaqur disa herë pritshmëri të ngjashme, pa arritur në një marrëveshje përfundimtare.
Farren-Price thekson gjithashtu se Teherani do të kërkojë përfitime maksimale në këmbim të rihapjes së plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe garantimit të lundrimit të lirë për anijet tregtare.
Lexo edheTrumpi shpërthen pas humbjes: Lufta me Iranin na kushtoi vota për shkak të çmimeve të karburantitNgushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Përmes saj kalon normalisht rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Shpërthimi i luftës në Iran shkaktoi ndërprerje të rënda të trafikut detar në këtë ngushticë, duke nxitur rritjen e ndjeshme të çmimeve globale të energjisë.
Tashmë, sinjalet për një rikthim të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë ndikuar në pritshmëritë e tregjeve, por mbetet për t’u parë nëse përpjekjet diplomatike do të konkretizohen në një marrëveshje dhe nëse lundrimi në Ngushticën e Hormuzit do të rikthehet plotësisht në normalitet.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












