Modeli elektrik Hyundai Ioniq 5 është zgjedhur vetura më e mirë e përdorur për vitin 2026 nga revista britanike e automobilizmit “Auto Express”, përcjell tetova1
Kjo është hera e parë që një veturë plotësisht elektrike fiton çmimin kryesor në këtë garë. Për më tepër, Ioniq 5 ka triumfuar edhe në kategorinë e veturave elektrike më të mira të përdorura.
Juria ka vlerësuar veçanërisht hapësirën e bollshme në kabinë, dizajnin karakteristik, komoditetin gjatë vozitjes dhe mundësinë e karikimit të shpejtë të baterisë.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Auto Express”, ekzemplarët e parë të këtij modeli që ofrohen në tregun britanik mund të gjenden me çmime rreth 13 mijë paund, apo afërsisht 15 mijë euro. Disa prej veturave të përdorura ende përfitojnë nga garancia pesëvjeçare e prodhuesit.
Një tjetër pikë e fortë e Hyundai Ioniq 5 është koha e shkurtër e karikimit. Sipas prodhuesit, në një stacion me kapacitet prej 350 kW, bateria mund të mbushet nga 10 në 80 për qind për rreth 18 minuta, në kushte të përshtatshme. Koha reale mund të ndryshojë në varësi të versionit të veturës dhe kushteve të karikimit.
Në renditjen e përgjithshme, vendin e dytë e zuri Renault Clio, ndërsa në pozitën e tretë u rendit Volvo XC90. Pas tyre vijnë Polestar 2 në vendin e katërt dhe Dacia Jogger në vendin e pestë.
Vlen të theksohet se Hyundai Ioniq 5 kishte fituar edhe çmimin “Vetura e Vitit” nga e njëjta revistë në vitin 2021, kur ky model ishte prezantuar për herë të parë në treg./tetova1.mk
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












