Prodhuesi francez i automjeteve Renault, në partneritet me kompaninë belge John Cockerill, është duke punuar në zhvillimin e një automjeti elektrik të destinuar për përdorim ushtarak, i cili funksionon pa ekuipazh dhe mund të komandohet nga distanca.
I pagëzuar me emrin “Forefront”, automjeti synon të lehtësojë operacionet në terrene dhe zona me rrezik të lartë. Ai është konceptuar për transportimin e pajisjeve ushtarake, zbulimin, mbikëqyrjen dhe evakuimin, duke reduktuar ekspozimin e ushtarëve ndaj rreziqeve në terren.
Sipas karakteristikave të projektit, platforma do të ketë sistem tërheqjeje në të katër rrotat dhe kapacitet për të transportuar deri në një ton ngarkesë. Autonomia e parashikuar arrin rreth 400 kilometra, ndërsa automjeti është projektuar për të lëvizur edhe në terrene të vështira, përfshirë pjerrësi deri në 60 për qind.
Përdorimi i tij nuk kufizohet vetëm në fushën ushtarake. Automjeti mund të përshtatet edhe për operacione të kërkim-shpëtimit, ndërhyrje në zona të rrezikshme dhe transport të materialeve logjistike.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












