BLS HAFNIA – 15 VJET HISTORI, SUKSES DHE KRENARI SHQIPTARE!
Nga Danimarka në botë – një histori suksesi me rrënjë nga Tetova!
Në vitin 2011, një ide e lindur në Danimarkë do të shndërrohej në një histori të jashtëzakonshme suksesi në industrinë e modës. Bëhet fjalë për brendin danez BLS HAFNIA, të themeluar nga dy vëllezërit shqiptarë, Besnik dhe Burim Miftari, me origjinë nga Tetova.
Të lindur dhe të rritur në Danimarkë, me vizion të përbashkët, përkushtim dhe punë të palodhshme, vëllezërit Miftari arritën ta shndërrojnë një ide në një emër të njohur në tregun danez dhe atë ndërkombëtar të modës.
BLS HAFNIA sot është i pranishëm në qendra dhe dyqane prestigjioze daneze, si Magasin du Nord, Kaufmann dhe Quint, ndërsa përmes shitjeve online ka zgjeruar praninë edhe në shumë vende evropiane.
Rrugëtimi i këtij brendi është pasuruar edhe me bashkëpunime të veçanta, ndër të cilat veçohen projekti për fanellën speciale të Kombëtares Daneze, në bashkëpunim me DBU dhe Hummel, koleksioni me markën Faxe Kondi, si dhe BESA Collection, një projekt me domethënie të veçantë, që promovon një nga vlerat më të çmuara shqiptare: BESËN.
Pas këtij suksesi qëndron edhe përgatitja profesionale e dy vëllezërve. Besnik Miftari është i diplomuar në dizajn dhe menaxhim marketingu, ndërsa Burim Miftari ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Kopenhagë, me fokus në kontabilitet dhe ekonomi.
Një vlerësim i veçantë për rrugëtimin dhe suksesin e vëllezërve Miftari ka qenë edhe vëmendja dhe mirëpritja nga Princesha e atëhershme e Danimarkës, Mary, sot Mbretëresha Mary e Danimarkës.
Suksesi i tyre është i lidhur ngushtë edhe me edukimin dhe vlerat familjare. Besnik dhe Burim janë bijtë e Jamin Miftarit, aktivist dhe humanist i njohur në komunitetin shqiptar në Danimarkë. Një rol të veçantë në formimin e tyre ka pasur edhe gjyshi, Xhemil Miftari, i njohur si një nga përkthyesit e parë dhe njohës i shumë gjuhëve të huaja.
Dy festa, një krenari – 28 Nëntori dhe 15-vjetori i BLS HAFNIA!
Përvjetori jubilar do të shënohet në një atmosferë të veçantë më 28 Nëntor, duke bashkuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë me 15-vjetorin e suksesit të BLS HAFNIA.
Nën moton: “Një titull që bashkon krenarinë kombëtare, suksesin shqiptar dhe rrënjët tona nga Tetova”
Vëllezërit Miftari organizojnë një mbrëmje festive në Danimarkë, ku pritet të marrin pjesë mbi 1.000 mysafirë, me program muzikor nga artistë të njohur të skenës nëDanimarkë. Kjo mbrëmje do të jetë më shumë se një festë për një përvjetor biznesi: një moment bashkimi, krenarie dhe promovimi të suksesit shqiptar në diasporë.
Historia e Besnikut dhe Burimit është dëshmi se prejardhja nuk është pengesë për të arritur majat. Përkundrazi, rrënjët janë pjesë e identitetit dhe forcës që të shtyn përpara. Dy vëllezër shqiptarë, me origjinë nga Tetova, të cilët në Danimarkë ndërtuan një brend me shtrirje ndërkombëtare, duke dëshmuar se suksesi dhe identiteti kombëtar mund të ecin krah për krah.
Urime 15-vjetori, BLS HAFNIA! Urime Besnik dhe Burim Miftari!
Urojmë që ky rrugëtim të vazhdojë me dekada të tjera suksesi, projekte të reja dhe horizonte gjithnjë e më të gjera!
Në emër të komunitetit shqiptar në Danimarkë,
Havzi Sulejmani – Xhaxhi
19 nëntor 2026/tetova1.mk

Komentet
Bëhu i pari që komenton.












