Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni ka reaguar për ngjarjet e mëngjesit të sotëm ku në Kumanovë, u dogjën disa vetura dhe një objekt, përcjell TV21. Iseni tha se MPB po merret me zbardhjen e rastit dhe brenda ditës do të ketë edhe informacione më të hollësishme. Siç thotë Iseni, MPB ka indikacione se në ngjarjet e mëngjesit në Kumanovë përkojnë me qërim hesapesh nga e kaluara nga grupe të caktuara kriminele dhe shtoi se, personat përdorën pajisje për bllokim të kamerave.
“Në mëngjesin e sotëm në Kumanovë, disa persona kanë vënë zjarr ndaj disa veturave dhe një objekti, ndërkaq personat që kanë vënë zjarrin dyshohet se kanë përdorur pajisje për bllokimin e kamerave. Informojmë se institucionet përkatëse dhe përfaqësues të MPB-së kanë inspektuar vendin ku ka ndodhur rasti dhe se gjatë ditës do të dalim me detaje të reja.
MPB ka indikacione se në ngjarjet e mëngjesit në Kumanovë përkojnë me qerim hesapesh nga e kaluara nga grupa të caktuara kriminele.
MPB në mënyrë efikase do të zbardh rastin dhe personat e përfshirë do të japin përgjegjësi
Siguria e qytetarëve është prioriteti ynë themelor dhe për këtë ne po angazhohemi çdo ditë. Që nga marrja e detyrës kanë ndodhur një varg krimesh, por me të gjithë rastet po merremi seriozisht dhe së shpejti do të jetë epilog për të gjithë këto raste një nga një. Duhet ta dinë të gjithë se tani është koha kur kriminelët do të marrin dënimin e merituar për veprat të cilat i bëjnë.
Ka kaluar koha kur drejtësia ishte selektive. Tani askush nuk do të kursehet nga përgjegjësia e veprave të tij.
Për MPB-në të gjithë qytetarët janë prioritet. Banditët do të marrin dënimin e merituar. Bëjmë thirrje deri te të gjithë qytetarët që rastet t’i marrin me gjakftohtësi dhe t’ua lejnë në dorë institucioneve shtetërore për t’i zbardhur ato.
MPB garanton siguri dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët”, tha Iseni.