Shutka nuk i ngjanë më Dubait. Si kjo deponi e egër që është krijuar në një rrugicë të Shuto Orizarit, ka shumë të tilla në të gjithë komunën e Shuto Orizarit. Banorët ankohen se pas protestës të cilën e bënë para Qytetit të Shkupit për mungesën e transportit publik në Shuto Orizari, kjo është hakmarrje nga Qyteti i Shkupit për banorët e Shuto Orizarit.
“Ne rregullisht i paguajmë faturat por ja shiko mbeturinat ku janë. Kemi fëmijë dhe mund të marrin sëmundje, do marrin ndonjë sëmundje dhe nuk do kenë shërim. Shutka nuk i ngjanë më Dubait? Shutka ishte Paris i vogël por tani as Dubai e as Gjorçes”, tha një banor i Shuto Orizarit.
“Kjo është sëmundje e gjallë, nëse nuk je i sëmurë dhe dëshiron të sëmurësh eja në Shutkë dhe do të sëmurësh, ajo është”, u shpreh një qytetare.
“I hedhim mbeturinat që të mund të shkojmë në shtëpi, më herët nuk kishte kështu mbeturina, pasi dolëm në protestë dhe nuk lëshojnë veturat që të grumbullojnë mbeturinat. Kjo është katastrofë, nuk ka qenë kështu asnjëherë”, tha një qytetar.
Sipas kryetarit të komunës së Shuto Orizarit, Kurto Dudush, mbeturinat nuk pastrohen rregullisht tani e disa muaj në këtë komunë dhe sipas tij bëhet diskriminim.
“Kemi problem real dhe mendoj se bëhet diskriminim ndaj një lagjeje të tërë, kemi frikë nga sëmundjet ngjitëse sepse ky është muaji i dytë i këtij problemi por ata nuk na dëgjojnë por na kërcënojnë me dënime ndaj komunës dhe ndaj meje për mos veprim por ne nuk mund të veprojmë për diçka që nuk e kemi detyrë. Na lëshuan faturë për grumbullimin e deponisë me vlerë 253,978 denarë, mbeturina të cilat i krijojnë ata dhe pas kësaj nuk vijnë më të grumbullojnë mbeturinat në Shuto Orizari”, tha Kurto Dudush, kryetar i Shuto Orizarit.
Dërguam pyetje deri tek Qyteti i Shkupit lidhur me akuzat e banorëve të Shutkës se a po bëhet hakmarrje me mos grumbullimin e mbeturinave në Shuto Orizarit për shkak të protestës para Qytetit të Shkupit lidhur me mungesën e transportit publik, por nuk morëm përgjigje. Tentuam të marrim përgjigje edhe nga Higjienën Komunale se kur do të largohen deponitë e egra nga Shutka por nuk u përgjigjën në thirrjet telefonike./Alsat.mk