John Bolton, ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, ka pranuar fajësinë për mbajtje të paligjshme të informacionit të klasifikuar, që lidhej me shënimet e përgatitura gjatë punës për librin e tij me kujtime.
Bolton, i cili është shndërruar në një nga kritikët më të zëshëm të Trumpit, ishte paditur për 18 akuza që lidhen me trajtimin e papërshtatshëm të materialeve sekrete. Fillimisht ai ishte deklaruar i pafajshëm, por të premten pranoi fajësinë për një akuzë të vetme.
Sipas prokurorisë, dokumentet që ai mbajti përfshinin shënime personale me informacione mbi mbrojtjen kombëtare, disa prej tyre të klasifikuara në nivelin “tepër sekret”.
Në kuadër të marrëveshjes me prokurorinë, Bolton përballet me një dënim deri në pesë vjet burg dhe ka pranuar të paguajë një gjobë prej 2.25 milionë dollarësh. Gjithashtu, ai do të informojë zyrtarët e sigurisë kombëtare për materialet që kishte mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe do të kryejë 100 orë shërbim në komunitet.
Gjatë seancës gjyqësore, Bolton pranoi se akuzat ishin të sakta dhe shprehu keqardhje për veprimet e tij.
“Po, i nderuar gjykatës, i kam kryer këto veprime. Më vjen keq për këtë“, deklaroi ai para gjykatës.
Dënimi i tij pritet të shpallet më 28 tetor. Prokurorja federale Kelly Hayes tha se Bolton ishte plotësisht i vetëdijshëm për mënyrën se si duhej të trajtoheshin dokumentet e klasifikuara dhe për rrezikun që sjell keqpërdorimi i tyre.
“Siç pranoi edhe vetë zoti Bolton, ai e vuri në rrezik serioz sigurinë kombëtare, duke shkelur ligjin“, tha Hayes.
Bolton u largua nga administrata Trump në vitin 2019. Një vit më pas ai publikoi librin “The Room Where It Happened”, ku përshkroi përvojën e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe kritikoi presidentin Trump për mungesë njohurish në politikën ndërkombëtare.
Administrata Trump ishte përpjekur të ndalonte botimin e librit, duke argumentuar se ai përmbante informacione të klasifikuara, por gjykata e refuzoi kërkesën dhe libri u publikua. Më pas, Departamenti amerikan i Drejtësisë nisi hetimet për mënyrën se si Bolton kishte trajtuar informacionin sekret.
Sipas aktakuzës, Bolton kishte ndarë materiale të klasifikuara edhe me dy të afërm të tij. Hetimet zbuluan gjithashtu se në një moment një haker kishte arritur të depërtonte në llogarinë ku ruheshin dokumentet, duke dërguar një mesazh kërcënues për publikimin e tyre.
Ekspertët ligjorë të cituar nga BBC theksojnë se ndjekjet penale ndaj zyrtarëve të lartë për keqmenaxhim të dokumenteve të klasifikuara janë të rralla, por nuk përbëjnë precedent të paprovuar.










