Trendy

Takimi me dy shqiptarë, pista e re në misterin e zhdukjes së Yu Ting në Greqi!

Para 3 orë

Dyzet e pesë ditë pas zhdukjes së Yu Ting, autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e fatit të saj, ndërsa në dosje janë shtuar dëshmi dhe informacione të reja që po analizohen nga hetuesit.

Një nga pistat që po hetohet lidhet me një takim të zhvilluar katër ditë para zhdukjes së saj në qytetin e Nicës. Sipas mediave greke, Yu Ting u takua me një oficer policie në pension, dy shtetas shqiptarë, një shtetas grek dhe një prift. Fillimisht u raportua se takimi kishte lidhje me një pronë të kishës, por hetuesit po verifikojnë nëse tema e vërtetë e diskutimit ishte një tjetër dhe nëse ky takim mund të ketë lidhje me zhdukjen e saj.

Sipas të njëjtave burime, Yu Ting nuk e vijoi bashkëpunimin që i ishte propozuar gjatë këtij takimi, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse ky vendim lidhet me zhvillimet që pasuan.

Ndërkohë, burri i saj ka përjashtuar mundësinë që Yu Ting të jetë larguar vullnetarisht drejt Kinës. Ai deklaron se ajo nuk mori me vete sende personale apo rroba, nuk ka pasur lëvizje në llogaritë e saj bankare dhe nuk ka kontaktuar me familjarët apo miqtë që prej zhdukjes.

Në hetim janë përfshirë edhe aktivitetet e saj financiare. Sipas emisionit “Live News” në televizionin grek Mega, Yu Ting u jepte hua para personave në rrethin e saj profesional përmes marrëveshjeve private të bazuara në besim. Autoritetet po verifikojnë nëse këto transaksione mund të kenë ndonjë lidhje me zhdukjen.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen është dëshmia e motrës së Yu Ting, e cila jeton në Kinë. Ajo pretendon se ka marrë informacion sipas të cilit motra e saj ndodhet në jugperëndim të banesës së saj dhe mbahet në një apartament pa mundësi largimi. Megjithatë, autoritetet greke kanë bërë të ditur se ky informacion nuk është konfirmuar dhe nuk përbën pjesë të hetimit zyrtar.

Burri i Yu Ting ka hedhur poshtë edhe spekulimet që e lidhin bashkëshorten e tij me shërbime inteligjente apo çështje ushtarake, duke theksuar se ajo nuk kishte asnjë përfshirje në programe politike, ushtarake apo të armatimit.

Hetimet për zhdukjen e Yu Ting vijojnë, ndërsa autoritetet greke po analizojnë çdo dëshmi dhe informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e një prej rasteve më misterioze të javëve të fundit.

Trending