Mbrojtja e Hashim Thaçit po kërkon që ai të lirohet përkohësisht dhe ta presë në Kosovë vendimin përfundimtar në procesin ku akuzohet për pengim të administrimit të drejtësisë.
Kërkesa nuk synon ndërprerjen e procesit dhe as heqjen e akuzave. Në thelb, mbrojtja po kërkon që paraburgimi të zëvendësohet me masa më të buta deri në shpalljen e vendimit, duke argumentuar se prezenca e Thaçit në procedurë mund të sigurohet edhe pa qëndrimin e tij të mëtejshëm në Hagë.
Për ta mbështetur këtë kërkesë, avokatët kanë ofruar një dorëzani prej 50 mijë eurosh dhe një varg garancish konkrete. Thaçi do të dorëzonte pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit, nuk do të largohej nga territori i Kosovës, do ta deklaronte adresën e banimit dhe nuk do ta ndryshonte atë pa miratim paraprak.
Ai gjithashtu do të obligohej të mos kishte kontakte me të bashkakuzuarit dhe personat e tjerë të përfshirë në çështje.
Këto kufizime do të mundësonin mbikëqyrjen e plotë të Thaçit dhe do të zvogëlonin çdo shqetësim të mundshëm për arratisje apo ndërhyrje në procedurë.
Një nga argumentet më të rëndësishme në favor të lirimit është faza në të cilën ndodhet gjykimi. Prokuroria e ka përfunduar paraqitjen e provave, ndërsa pjesa më e madhe e procedurës tashmë është zhvilluar.
Kjo do të thotë se dëshmitarët kryesorë janë dëgjuar dhe provat janë administruar. Për mbrojtjen, rreziku që Thaçi të ndikojë në dëshmi apo të pengojë mbledhjen e provave është dukshëm më i vogël sesa në fillim të procesit.
Në këto rrethana, vazhdimi i paraburgimit nuk duhet të shihet si masë automatike, por të vlerësohet në raport me fazën e procesit dhe mundësinë e përdorimit të alternativave më pak kufizuese.
Thaçi vazhdon të konsiderohet i pafajshëm derisa të merret një vendim përfundimtar. Lirimi i përkohshëm nuk do të nënkuptonte që gjykata ka marrë qëndrim për akuzat, por vetëm se ka vlerësuar se procedura mund të vazhdojë edhe pa privimin e tij nga liria.
Mbrojtja ka përmendur gjithashtu faktin se disa persona të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje janë liruar me kushte.
Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu e kanë vazhduar procesin jashtë paraburgimit, nën masa të caktuara nga gjykata. Edhe pse vendimet për paraburgim merren individualisht, mbrojtja pretendon se kushtet e ofruara nga Thaçi janë të ngjashme dhe mjaftueshëm të rrepta për të garantuar respektimin e procedurës.










