Ditëve të fundit po bëhen kalkulimet e fundit për listat e kandidatëve për deputet në kuadër të partive politike dhe koalicioneve parazgjedhore.
Në kuadër të këtyre kalkulimeve, padyshim interes ngjallën edhe lista e kandidatëve për deputet të Frontit Europian pasiqë në këtë front janë kyqur shumë parti politike dhe secila prej tyre ka apetitet e veta që kandidatët e tyre të jenë sa më lart të ranguara.
Nga listat jozyrtare të publikuara nga mediat deri më tash, bie në sy që degët e BDI-së në Tetovë dhe rrethinë do të kenë vetëm 1 deputet potencial fitues në zgjedhjet e 8 majit!
Mundësia e zgjedhjes së deputetit të dytë nga rajoni i Tetovës është thuajse minimale pasiqë përveç pozitës së 4 në listën e Zonës së 6 zgjedhore, për degën e BDI-së Tetovë është ndarë pozita e 10.
Deputetja aktuale Rina Hajdari që vjen nga fshati Poroj thuhet se do jetë e 4 në listën për deputet të Frontit Europian. Pas kësaj kuadër i BDI-së nga Tetova do jetë Merita Mustafai që është e radhitur e 10 në listë.
Derisa në mandatin që po lejmë mbas integristët nga Tetova dhe rrethina kanë pasur 3 deputet, tash më me “Frontin Europian” duhet të pajtohen me vetëm 1 deputet ose në variantin më optimist me 2 deputet.
Kjo ka bërë që tek anëtarsia dhe aktivistët e BDI-së në Tetovë dhe rrethinë të ketë edhe pakënaqësi.
Integristët e Tetovës dhe rrethinës pyesin se pse Ali Ahmeti zgjodhi që në kuriz të strukturës partiake dhe aktivistëve të Tetovës dhe rrethinës të jetë dorë lirë ndaj partive tjera që janë pjesë e koalicionit të Frontit Europian?
Ata thonë se si është e mundur që Shkupi, Kumanova dhe Kërçova të kenë nga 2-3 deputet potencialisht fitues kurse Tetova dhe rrethina edhe pse ka më shumë votues të ketë vetëm 1 deputet!
Të revoltuar aktivistët nga Tetova thonë se me votat e tyre do të zgjidhen deputet përfaqësues të partive tjera që nuk kanë elektorat dhe janë me 500 -1 000 votues dhe jo përfaqësuesit e tyre që çdo ditë po e kalojnë në teren duke kontaktuar njerëz.
Përndryshe, sipas mediave lista për deputet në Zonën e 6-të Zgjedhore do jetë:
- Ali Ahmeti (BDI – Kërçovë)
- Talat Xhaferi (BDI-Gostivar)
- Ilire Dauti (ASH – krahu i Ziadin Selës)
- Rina Hajdari (BDI – Tetovë)
- Menduh Thaçi (PDSH)
- Beycan Ilyas (Partia Demokratike Turke)
- Ilir Demiri (ASH – krahu i Ziadin Selës)
- Sali Murat (Lëvizja e Turqëve të Maqedonisë)
- Fatmire Isaku (PDSH )
- Merita Mustafai (BDI-Tetovë)
- Arjanit Hoxha (PDE)
/tetova1/