Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet me një rënie të mbështetjes publike, ndërsa një sondazh i ri tregon se shumica e qytetarëve nuk e konsiderojnë më një figurë të besueshme për drejtimin e vendit.
Sipas një sondazhi të realizuar nga Channel 12, rreth 60% e izraelitëve deklarojnë se nuk kanë besim te Netanyahu, ndërsa vetëm 38% shprehen se i besojnë kryeministrit aktual.
Rezultatet, të publikuara nga mediat izraelite, tregojnë se disa prej rivalëve politikë të Netanyahut gëzojnë nivele më të larta besimi tek qytetarët.
Ish-shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, i cili shihet si një nga sfiduesit kryesorë të Netanyahut, vlerësohet pozitivisht nga një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve. 54% e qytetarëve deklarojnë se kanë besim tek ai, ndërsa 29% shprehen kundër.
Edhe ish-kryeministri Naftali Bennett, një tjetër emër që përflitet si rival i mundshëm i Netanyahut në zgjedhjet e ardhshme, rezulton me një bilanc më të favorshëm në disa aspekte. Sipas sondazhit, 41% e të anketuarve shprehen se i besojnë Bennettit, ndërsa 53% nuk kanë të njëjtin mendim.
Sondazhi ka nxjerrë gjithashtu në pah se pjesa më e madhe e qytetarëve izraelitë mendojnë se vendimet e fundit të koalicionit qeverisës mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjen e tyre politike në zgjedhjet e ardhshme.
Një nga çështjet më të debatueshme mbetet përjashtimi i burrave haredi (hebrenjve ultra-ortodoksë) nga shërbimi ushtarak, një temë që ka shkaktuar përplasje të forta brenda shoqërisë izraelite dhe tensione brenda koalicionit qeverisës.
Zgjedhjet parlamentare në Izrael pritet të zhvillohen jo më vonë se 27 tetor 2026, ku qytetarët do të zgjedhin 120 anëtarët e Knessetit. Rezultati i tyre mund të jetë vendimtar për të ardhmen politike të Benjamin Netanyahut dhe koalicionit të tij.










