Një dron goditi të shtunën herët në mëngjes një depozitë karburanti në rafinerinë e naftës në Zawia, në pjesën verilindore të Libisë, duke shkaktuar rrjedhje, por pa të lënduar apo zjarr, njoftoi rafineria, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Kompania e Rafinerisë së Naftës në Zawia tha se droni goditi murin e një depozite të naftës së patrajtuar rreth orës 03:45 sipas kohës lokale, duke krijuar dy vrima dhe duke shkaktuar rrjedhjen e naftës.
Kompania tha se personeli i saj e vuri situatën nën kontroll dhe ndaloi rrjedhjen, duke shtuar se nuk shpërtheu zjarr dhe se askush nuk u lëndua.
Rafineria shprehu shqetësim për praninë e pajisjeve ushtarake brenda ambienteve të saj, duke paralajmëruar se kjo paraqet rrezik serioz për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin përreth.
Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve që ta mbajnë rafinerinë dhe objektet e saj larg përleshjeve dhe aktiviteteve të armatosura, duke theksuar rëndësinë strategjike dhe ndjeshmërinë e operacioneve të saj.
Të martën, disa persona u raportuan të vrarë dhe të plagosur në përleshjet mes grupeve të armatosura në qytetet libiane perëndimore Surman dhe Zawia, mes raportimeve për një arratisje nga burgu, sipas mediave lokale dhe autoriteteve.
Kompania e Rafinerisë së Naftës në Zawia u bëri gjithashtu thirrje punonjësve në zonat e pasigurta të mos paraqiteshin në punë për shkak të përleshjeve, duke e shpallur të martën ditë pushimi për punonjësit.











