Pas më shumë se 19 orësh fluturim, një avion special Airbus A350-1000 ULR (Ultra Long Range) ka mbërritur në aeroportin e Melburnit. Avioni është ndërtuar posaçërisht me një rezervuar shtesë karburanti, për të përballuar distanca rekord pa pasur nevojë për ndalesa. Ky ishte fluturimi i parë testues përpara dorëzimit te klienti, kompania australiane Qantas, e cila synon të nisë linjat më të gjata ajrore në botë: Sidnej–Londër dhe më pas Sidnej-Nju Jork.
Për të përshkuar rreth 17 mijë kilometra nga Tuluzë e Francës, aty ku ndodhet selia e Airbus, avioni nuk bëri asnjë ndalesë për furnizim me karburant. Gjatë rrugës ai kaloi mbi Sardenjë dhe Kalabri, më pas vazhdoi drejt Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Omanit, përpara se të kalonte disa orë mbi Oqeanin Indian dhe të hynte në hapësirën ajrore të Australisë. Ky test shënon një hap të rëndësishëm drejt epokës së fluturimeve ultra të gjata pa ndalesa, që synojnë të lidhin drejtpërdrejt qytetet më të largëta të botës.










