Sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në një postim në rrjetin social facebook, i ka kritikuar, siç i ka quajtur ai, “duarngriturit” në koalicionin e udhëhequr nga Ali Ahmeti.
Në vijim ja postimi i plotë:
Përtej interpretimit tipik me nota të neverisë ndaj pamjes së mbrëmshme në Gostivar, kur janë bërë bashkë dhe i kanë ngritur duart ata që deri dje nuk kanë lënë akuzë për duar të përgjakura ndaj njëri-tjetrit, më e rëndësishme është të thuhet se çfarë përfaqësojnë ata.
Nëse analizohet pak më thellë, ata të gjithë, pa përjashtim, përfaqësojnë politikanët me afat të skaduar, që jetën e tyre politike mundohen ta zgjasin duke bërë akrobacione, që në interpretimin e qytetarëve janë jo vetëm të panatyrshme e të pamoralshme, por edhe joparimore dhe jopërmbajtjesore. Nuk është e vështirë të konstatohet se arsyeja e atij bashkimi është vetëm pasioni patologjik për të qenë në pushtet me çfarëdo çmimi dhe asgjë më shumë. Pushteti për ta është qëllim dhe ata janë bërë skllevër të kësaj manie. Ndërkaq, ky pushtet për ata tashmë përkthehet vetëm në terma ekonomikë (si biznes i leverdishëm). Këtu përfundon krejt narracioni i të të a.q. Fronti Europian.
Në kuptimin politik:
– ata përfaqësojnë abuzimin me integrimin europian (e ndryshojnë Kodin Penal, duke e keqpërdorë flamurin e BE-së, vetëm që t’i shpëtojnë nga përndjekja njerëz të listës së zezë amerikane, si Nikolla Gruevski e Sasho Mijallkovi);
– ata e përfaqësojnë mendësinë e reduktimit të shqiptarit në qenie simbolike (“ta kemi disa ditë kryeministrin teknik shqiptar”);
– ata përfaqësojnë mendësinë minimaliste shqiptare (arritjet minimale, përmes PR-it, i shpallin fitore shekullore, si fjala bie avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe që e shpallën fitore epokale);
– ata përfaqësojnë shqiptarin inferior, që duhet t’i falet diçka jo sepse e ka merituar me dije e me punë, por sepse është shqiptar;
– ata përfaqësojnë rrjetin e korrupsionit të lartë, që përfaqësohet me milionat e përfituara për familjet e tyre, ndonëse rrogat i kanë si të gjithë qytetarët e tjerë;
– ata përfaqësojnë varfërimin e popullit dhe pasurimin e familjeve të tyre (nipi i Ali Ahmetit brenda natës është shndërruar në milioner, ndërkohë që mbi 300 mijë shqiptarë – gjatë qeverisjes së xhaxhait të tij – janë detyruar të shpërngulen në Perëndim);
– ata përfaqësojnë abuzimin me drejtësinë përmes ndikimit në institucionet e drejtësisë, duke vendosur në pozicione drejtuese në prokurori e gjykata familjarë e aktivistë partiakë pa kredibilitet profesional e etik.
Andaj, sado e pështirë dhe neveritëse pamja e Gostivarit, ajo është në rrafshin etik. Në kuptimin politik, ata janë politikanë, që sa më shumë që u zgjatet jeta politike atyre, u shkurtohet dhe u rrezikohet jeta reale qytetarëve.
Prandaj, 8 maji është një detyrim për të gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut për t’u çliruar nga kjo klasë politike. Jam i bindur se çfarëdo që të vijojë pas 8 majit është shumëfish më e mirë se kjo që ka qenë.
Nuk ke nevojë të provosh edhe një herë me dikë që 20 vjet është dëshmuar si i dëmshëm, duke shpresuar se mbase tash ka ndryshuar diçka. E vetmja gjë që ka ndryshuar te këta njerëz janë shifrat e pasurisë së tyre, ndërkohë që në anën tjetër janë rritur shifrat e shqiptarëve të mërguar.
Dita e mirë shihet n’sabah!