Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur për vendimin që Gjykata Speciale do ta marrë më 16 shtator ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i institucioneve të Kosovës në rast se ata do të dënohen, Konjufca i bëri thirrje Gjykatës së Hagës që të mos merr asnjë vendim politik, por të bëjë vendim të drejtësisë.
“Unë bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos bëjë vendim politik, po të bëjë vendim të drejtësisë. E nëse bën vendim të drejtësisë, ne të gjithë e dimë çfarë është drejtësia. Se ne jemi dëshmitarë këtu si popull që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë. Të kishte qenë luftë kriminale, kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, këtë mbajeni në mend. Nuk ka mundësi një luftë kriminale me u mbështet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së Madhe, prej Gjermanisë e prej Francës. Gjeneralët më të njohur të NATO-s kanë qenë afër me figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Konjufca.










