Trendy

Kur Matura matet me kuaj fuqi dhe jo me dije!

Para 2 orë

Shkruan Albert ZadrimaProfesor i shkencave politike

Pukë, Matura 2026

Ka fotografi që duken spektakolare. Dhe ka fotografi që tregojnë një problem të madh shoqëror.

Kjo është njëra prej tyre.

Matura duhet të jetë festa e dijes, e sakrificës, e një kapitulli që mbyllet dhe e një tjetri që sapo fillon.

Por vit pas viti, në disa raste, ajo po shndërrohet në një paradë makinash luksoze, ku vëmendja nuk është më te nxënësi, por te çelësi i makinës.

Nuk po festohen diplomat. Po fotografohet pasuria.
Dhe ky është një mesazh i gabuar.

➖Çfarë ndjen ai maturant që ka ardhur në këmbë?

➖Po ai që ka ardhur me autobusin?

➖Po ai që ka humbur njërin prind, ose vjen nga një familje që mezi ia ka dalë ta mbajë në shkollë?

➖A është festa edhe e tij?

Më dhemb edhe për mësuesit. Për atë mësuese që vjen çdo mëngjes me biçikletë, apo në këmbe.

Për profesorin që udhëton me autobus, në shi e në diell, për t’u mësuar këtyre të rinjve se dija është pasuria më e madhe.

Dhe, në fund të vitit, skena pushtohet nga motorët, jo nga librat.

Në shumicën e shkollave në Belgjikë, Gjermani apo vende të tjera të Europës Perëndimore, matura festohet ndryshe.

Nxënësit vijnë të veshur bukur, bëjnë fotografi me shokët, falënderojnë mësuesit, organizojnë një mbrëmje, vallëzojnë dhe kujtojnë vitet e shkollës.

Askush nuk ndjen nevojën ta masë suksesin me çmimin e makinës. Sepse atje respektohet arritja.

Jo ekspozimi.

Modernitet nuk është të ekspozosh luksin. Modernitet është të respektosh dinjitetin e tjetrit.

Tre mendime për t’i mbajtur mend:

Pasuria që ka nevojë të ekspozohet, shpesh kërkon të fshehë një varfëri tjetër.

Makina mund të jetë e familjes, por diploma është vetëm e nxënësit.

Shkolla duhet të nxjerrë njerëz të ditur, jo konkurse vaniteti.

Nuk kam asgjë kundër makinave të bukura. Përkundrazi. Por ato kanë vendin dhe kohën e tyre.

Matura duhet të jetë dita kur duartrokitet mundi, karakteri dhe dija. Jo dita kur matet vlera e një maturanti me vlerën e automjetit që e shoqëron.

Sepse një shoqëri që fillon t’i mësojë të rinjtë të admirojnë luksin para dijes, rrezikon të prodhojë më shumë konsumatorë të imazhit sesa ndërtues të së ardhmes.

 

Trending