Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Millan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 2023 nuk po ndiqet penalisht për ndonjë krim.
Vuçiç, në një konferencë për media në Beograd, i pyetur nëse Radoiçiç po ruhet nga një pjesëtar aktiv i Xhandarmërisë serbe, pavarësisht deklaratës së tij të fundit se pjesëtarët e Policisë së Serbisë nuk duhet të ruajnë persona privatë, tha se ai nuk ka të dhëna të tilla.
“S’keni thënë pse Millan Radoiçiç është në njoftim të kuq. Nuk është për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës”, tha Vuçiç në konferencën për media në të cilën njoftoi masa për përmirësimin e standardit të jetesës.
Për Radoiçiç është lëshuar edhe një fletarrestim ndërkombëtar nga Interpol-i, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Ndërsa Bashkimi Evropian shpreh pritshmërinë që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe të ndjekin penalisht përgjegjësit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, Radoiçiç në Serbi është i lirë dhe ka vendbanim të regjistruar në Beograd. Kundër tij në Serbi nuk është ngritur aktakuzë, edhe pse ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në të cilin u vra një polic i Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë.










