Ngushtica Bab el-Mandeb, emri i së cilës në arabisht do të thotë “Porta e Lotëve”, është një rrugë ujore e ngushtë e vendosur midis Jemenit në verilindje dhe Xhibutit e Eritresë në jugperëndim. Së bashku, Ngushtica Bab el-Mandeb, Deti i Kuq dhe Kanali i Suezit formojnë një korridor detar jetik për tregtinë globale, duke lidhur vendet e Evropës me ato të Azisë dhe Paqësorit. Rreth 10-12% e tregtisë detare globale kalon çdo vit përmes Ngushticës Bab el-Mandeb
Të hënën, rebelët Huthit në Jemen, të mbështetur nga Irani, njoftuan se do të vendosin një “embargo detare” ndaj Arabisë Saudite, në atë që mund të shënojë një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit në vazhdim mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Huthit kanë bërë të ditur se synojnë të godasin anijet saudite që kalojnë përmes Ngushticës Bab el-Mandeb, e njohur edhe si “Porta e Lotëve”, e cila lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit.
Ky përshkallëzim rrezikon të ketë një ndikim të konsiderueshëm, veçanërisht për naftën bruto saudite që transportohet përmes Detit të Kuq, pasi një pjesë e madhe e saj është devijuar kohët e fundit drejt kësaj rruge për të shmangur Ngushticën e Hormuzit.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite shprehu “dënimin më të fortë” ndaj këtyre kërcënimeve dhe tha se vendi do të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur anijet e tij. Megjithatë, nuk është e qartë se sa efektive do të jetë kjo qasje. Dhe, siç kemi parë edhe në të kaluarën, mjaftojnë vetëm kërcënimet për të prishur rrjedhën normale të lundrimit dhe për të rritur kostot e transportit në Detin e Kuq.





