Shkruan Valon Bela
Vizita e djeshme e Edi Ramës në Maqedoninë e Veriut dhe deklaratat e tij lanë më shumë pikëpyetje sesa përgjigje.
Kur kryeministri i Shqipërisë deklaron se, (edhe pse Kushtetuta e obligon të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve), nuk dëshiron të përzihet në çështjet e Maqedonisë së Veriut, në thelb ai po zgjedh një distancim politik nga problemet dhe shqetësimet e BDI-së këtu.
Por çështja nuk është ndërhyrja në punët e brendshme të një shteti. Çështja është nëse problemet e shqiptarëve ekzistojnë apo jo dhe nëse ato meritojnë të artikulohen e të mbështeten politikisht.
3 temat kryesore që BDI kishte bazuar opozitarizmin e saj, Legjitimiteti politik, statusi dhe zbatimi i gjuhës shqipe, si dhe përfaqësimi i drejtë etnik, na dolën (sipas Ramës) se janë kërkesa të shpikura për konsum zgjedhor dhe që nuk paraqesin (për Ramën) çështje që lidhen me barazinë, dinjitetin dhe funksionimin demokratik të shtetit.
Të thuash se shqiptarët i gëzojnë të gjitha të drejtat, pa u përballur me realitetin dhe kërkesat e tyre, nuk do të thotë se problemet janë zgjidhur.
Shqipëria nuk duhet të jetë palë në betejat partiake të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por as të kthehet në një spektatore indiferente ndaj çështjeve të tyre kombëtare. Mosndërhyrja në politikën e brendshme të shtetit të RMV-së nuk duhet të nënkuptojë heshtje përballë kërkesave legjitime për barazi. Absurdi qëndron në sjelljen kontraverse të Ramës sidomos kur ai fton studentët e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin shqiptar për të artikuluar kërkesat për barazi ndërkohë ai deklaron këtu se gjithëçka është në rregull.
Ky qëndrim i çuditshëm i Edi Ramës kundër Ali Ahmetit dhe opozitarizmit të tij, vie në momentin kur BDI-së po i kanoset përçarja më e madhe strukturore. Apo mos vallë ishte mesazh i tij për diçka që ka të bëjë me Artan Grubin, ku BDI la në harresë atë dhe betejën e tij me drejtësinë…?
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












