Mbi 2 milionë euro borxhe të kthyera, rritje e arkëtimit të tatimeve në 70% dhe shkurtim i shpenzimeve zyrtare. Këto janë disa nga rezultatet që kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, prezantoi në konferencën për shtyp, me rastin e një vjetorit të Qeverisjes së tij.
Në mesazhin e tij, Qyra thekson se administrata që ai drejton trashëgoi mbi 11 milionë euro detyrime, prej të cilave rreth 5 milionë në procedura përmbarimore dhe 6 milionë në procedura gjyqësore. Stabilizimi i financave, sipas tij, ishte hapi i parë për rikthimin e investimeve në komunë.
“Zgjodhëm rrugën e përgjegjësisë: ndalëm gjakderdhjen financiare, vendosëm kontroll mbi çdo denar dhe kthyem investimet kapitale në çdo cep të komunës sonë”, thekson Qyra para të pranishmëve.
Sipas bilancit, 990.000 euro detyrime janë paguar përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta me kreditorët, ndërsa 850.000 euro të tjera janë shlyer përmes përmbarimit, me mekanizmin “nga borxhliu te borxhliu”. Krahas pagesave, kreditorët kanë falur edhe 250.000 euro kamata, duke e çuar lehtësimin e përgjithshëm të barrës financiare në rreth 2,09 milionë euro.
“Kemi marrë listat e detyrimeve dhe kemi nisur nga borxhet më të vjetra. Kemi kontaktuar kreditorët dhe, përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta, kemi arritur që të shlyejmë një pjesë të konsiderueshme të tyre”, deklaroi Qyra.
Kryetari i Komunës së Strugës, shpreh mirënjohje për kreditorët që kanë pranuar marrëveshjet dhe faljen e kamatave, duke e vlerësuar bashkëpunimin e tyre si një lehtësim konkret për buxhetin komunal.
Një nga rezultatet kryesore të prezantuara është edhe rritja e arkëtimit të tatimeve lokale. Sipas Komunës, nga niveli prej 25–27% në vitet e mëparshme, shkalla e arkëtimit ka arritur në 70%. Deri më 5 nëntor 2026 janë mbledhur gjithsej 87.391.626 denarë.
“Struga nuk është e varfër, ishte e abuzuar dhe keqmenaxhuar”, është një nga mesazhet qendrore të bilancit, përmes të cilit drejtimi komunal argumenton se menaxhimi më i përgjegjshëm ka krijuar hapësirë të re për investime.
Në raport evidentohen edhe 145.658.773 denarë të realizuar nga dotacioni i TVSH-së. Prej tyre, 36.469.876 denarë janë mjete nga komponentët e barazimit dhe performancës, krahas financimit bazë. Sipas Komunës, përmbushja e kritereve për këto mjete lidhet me përmirësimin e arkëtimit, planifikimin buxhetor dhe disiplinën financiare.
Bilanci përfshin edhe reduktimin e shpenzimeve zyrtare. Shpenzimet e reprezentacionit të kryetarit, sipas raportit, janë ulur nga 3.000 euro në muaj në zero, ndërsa numri i telefonave zyrtarë është reduktuar nga 95 në 55. Automjeti zyrtar Audi A6 është shitur për 21.000 euro, ndërsa Qyra përdor automjetin e tij privat.
Pjesë e modelit të menaxhimit financiar është edhe përfshirja e qytetarëve në përcaktimin e prioriteteve, përmes Forumit Buxhetor Qytetar.
“Kur mora detyrën për të udhëhequr Komunën e Strugës, nuk e pashë pushtetin si privilegj, por si përgjegjësi ndaj çdo qytetari, çdo lagjeje dhe çdo fshati”, shprehet Qyra në mesazhin e përgatitur për njëvjetorin.
Duke e cilësuar vitin e parë si periudhë të vendosjes së themeleve financiare dhe institucionale, ai paralajmëron vazhdimin e investimeve dhe të modelit të qeverisjes të mbështetur në parimin: “Rend. Punë. Rezultate.”
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












