Trendy

Shporta minimale për muajin qershor ka qenë mbi 68 mijë denarë

Para 15 orë

Edhe pse në qershor është regjistruar një ulje simbolike e vlerës së shportës minimale sindikale krahasuar me muajin paraprak, kostoja e jetesës vazhdon të mbetet e lartë për shumicën e familjeve.

Sipas përllogaritjeve të shportës minimale sindikale, një familjeje në qershor 2026 i janë nevojitur 68.654 denarë për të mbuluar nevojat bazë mujore. Krahasuar me majin, kur vlera e shportës ishte 68.742 denarë, shënohet një ulje prej vetëm 88 denarësh.

Pjesën më të madhe të buxhetit familjar vazhdojnë ta zënë shpenzimet për ushqim dhe pije, për të cilat nevojiten 25.120 denarë, ose 36,6 për qind e shpenzimeve totale.

Pas ushqimit, ndër zërat më të mëdhenj të shpenzimeve janë arsimi me 7.192 denarë, veshmbathja dhe këpucët me 6.511 denarë, si dhe qiraja, uji, energjia elektrike dhe ngrohja, për të cilat nevojiten 6.379 denarë në muaj.

Për familjet që jetojnë në banesa me qira prej 60 metrash katrorë, barra financiare është edhe më e madhe. Sipas të njëjtës përllogaritje, atyre u nevojiten 84.024 denarë në muaj për të mbuluar shpenzimet minimale të jetesës.

Trending