Nëse përfundimisht kreu i PDSH-së Menduh Thaçi është larguar nga Fronti Europian, zgjidhjet që i mbeten janë që t’i bashkohet shumicës parlamentare ose të veprojë si i pavarur me koalicionin qeveritar. Edhe pse u paralajmërua, Thaçi ende nuk ka dalë që zyrtarisht të tregojë arsyet për largimin nga FE por edhe për hapat e tij të mëtutjeshëm. Zv/kryeministri Izet Mexhiti i pyetur nëse tashmë ka biseduar me Thaçin për kalimin e tij në koalicionin qeveritar, tha se ai personalisht nuk ka biseduar, por paralajmëroi se në FE do të ketë lëkundje edhe më të mëdha.
“Ata janë bashkë si FE jo për shkak të vlerave europiane ose ideologjisë, por me çdo kusht, pra qëllimi i tyre i vetëm është që të jenë në pushtet me çdo kusht. Në momentin kur nuk janë në pushtet, nuk i bashkon asgjë. Pra, në momentin kur nuk janë në pushtet, ngadalë por në mënyrë të sigurt, nuk destabilizohet as qeveria e as shteti, por destabilizohet FE. Ky është vetëm fillimi i fundit të tyre. Unë mendoj se do të ketë situata dhe destabilizim më të madh brenda FE”, tha Izet Mexhiti.