Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Imamët e Xhamisë Tabhane zëra të besimit dhe bartës të amanetit ndër breza

Imamët e Xhamisë Tabhane zëra të besimit dhe bartës të amanetit ndër breza

Shkruan Husein Rizai 

Ka njerëz që kalojnë nëpër jetën e një xhamie dhe lënë pas më shumë se emrin e tyre. Zëri i tyre mbetet i ndërthurur me ezanin, me lutjet e xhematit dhe me heshtjen e mihrabit, aty ku për vite me radhë kanë qëndruar për t’i prirë xhematit drejt adhurimit. Të tillë janë imamët, njerëzit që përmes dijes, fjalës dhe përkushtimit, bëhen pjesë e kujtesës shpirtërore të një xhamie.

Fjala imam nënkupton udhëheqësin, atë që prin dhe orienton, por, në kuptimin e saj më të thellë, kjo fjalë bart një amanet që nuk matet vetëm me përgjegjësinë për të udhëhequr namazin. Imami është njeriu që qëndron pranë xhematit, që këshillon në çaste pasigurie, mëson në kohë kërkimi dhe ndan me njerëzit gëzimet e dhembjet e jetës. Ai nuk është mbi xhematin, por pjesë e saj, një shërbyes i fesë që duhet ta dëshmojë me sjelljen e vet atë që ua përcjell të tjerëve.

Në Xhaminë e Tabhanes, ky mision është shprehur përmes pesë kohëve të namazit, hutbeve, mësimeve fetare dhe shërbimit të përditshëm ndaj xhematit. Imami duhet të jetë i pajisur me dije të qëndrueshme, të njohë dispozitat e Islamit, ta lexojë Kur’anin me përpikëri dhe të mishërojë urtësinë, devotshmërinë dhe moralin. Në traditën islame njihet edhe si ṣahibu-ṣalat, përgjegjësi dhe udhëheqësi i namazit, por madhështia e këtij misioni nuk qëndron te pozita, por te sinqeriteti me të cilin përmbushet amaneti.
Kur mendoj për imamët e Tabhanes, mendimi më shkon te mihrabi, i cili ndër vite ka qenë dëshmitar i shumë brezave. Përpara tij kanë qëndruar njerëz të ndryshëm, me zëra, përvoja dhe rrugëtime të veçanta, por të bashkuar nga i njëjti mision, t’i shërbejnë Allahut dhe njerëzve. Disa prej tyre i njohim përmes dokumenteve, të tjerët vetëm përmes emrave të ruajtur në kujtesën e xhematit. Për imamët që kanë shërbyer para vitit 1944 nuk kemi të dhëna të plota kronologjike e biografike, prandaj edhe përmendja e tyre mbështetet vetëm në emrat që kemi arritur të sigurojmë.

Sipas të dhënave që disponojmë, në Xhaminë e Tabhanes kanë shërbyer këta imamë:
1. Hfz. Ibrahim efendiu – periudha e shërbimit nuk dihet.
2. Hasan efendiu – periudha e shërbimit nuk dihet.
3. Mahmut efendiu – periudha e shërbimit nuk dihet.
4. Hfz. Mahi ef. Mehmedali – 1944–1977.
5. Hfz. Xhemail ef. Xhemaili – 1977–1990.
6. Mr. Shemsedin ef. Ismaili – 1990–1996.
7. Hfz. Ramadan ef. Ramadani – 1996–2010.
8. Dr. Husein ef. Rizai – 2010–2017.
9. Sead ef. Demiri – nga viti 2017 e deri më sot.
Kjo renditje nuk është thjesht një varg emrash dhe datash, pas secilit emër qëndron një periudhë shërbimi, një pjesë e jetës së xhamisë dhe një kontribut në vazhdimësinë e saj. Për disa, dokumentet kanë ruajtur më shumë dëshmi, për të tjerët vetëm emrin, por edhe kjo është një gjurmë që meriton të ruhet, sepse harresa shpesh fillon atëherë kur emrat pushojnë së përmenduri.

Sot, kur i kujtojmë këta imamë, përfytyrojmë jo vetëm njerëzit që kanë qëndruar në mihrab, por edhe brezat që janë rreshtuar pas tyre, fëmijët që kanë mësuar shkronjat e para të Kur’anit, besimtarët që kanë dëgjuar këshillat e tyre dhe njerëzit që kanë gjetur në fjalën e tyre ngushëllim e udhëzim. Kështu, historia e imamëve bëhet pjesë e historisë së vetë mëhallës, sepse jeta e një xhamie nuk ndërtohet vetëm me gurë, por edhe me njerëzit që i japin asaj frymë.
Mihrabi i Tabhanes ka ndërruar imamë, por nuk e ka ndërruar misionin, zërat kanë ardhur e kanë shkuar, brezat janë zëvendësuar, por thirrja drejt adhurimit ka vazhduar. Ndoshta këtu qëndron bukuria e këtij amaneti, njeriu kalon, ndërsa shërbimi i sinqertë lë gjurmë që koha nuk duhet t’i fshijë.

Allahu i mëshiroftë imamët që kanë kaluar në amshim, ua pranoftë mundin dhe shërbimin, ndërsa atyre që jetojnë u dhëntë shëndet, forcë dhe bereqet në vazhdimin e këtij amaneti.

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme