Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Shuhet edhe UNI-BANKA, blehet nga Sparkase! Çfarë po ndodhë me sistemin bankar në Maqedoni?

Shuhet edhe UNI-BANKA, blehet nga Sparkase! Çfarë po ndodhë me sistemin bankar në Maqedoni?

Sipas pasqyrës të bursës për nëntë muajt e parë të vitit 2026 shtatë banka në vend kanë fituar rreth 151 milionë euro, tregojnë kështu raportet e tyre të pareviduara në Bursën e Maqedonisë. Shtatë nga gjithsej 12 bankat në vend udhëhiqen si shoqëri aksionare që kuotohen në bursë dhe të cilës i dorëzojnë kësi lloj raportesh të cilat i analizoi Kolegium.mk, transmeton Portalb.mk.

 

Sipas të dhënave të publikuara në bursë për këto shtatë banka, këtë vit, për dallim nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ato kanë fituar 12,9 milionë euro më pak. Në vitin 2025 fitimi i tyre i përgjithshëm për nëntë muajt e parë ka qenë 164 milionë euro.

Raportet financiare të pareviduara të cilat i analizoi Kolegium.mk tregojnë se nga shtatë bankat vetëm NLB Banka dhe Banka Qendrore Kooperative e kanë rritur fitimin. NLB ka fituar 41,1 milionë euro, për dallim nga 40,7 milionë eurot vitin e kaluar, ndërsa Banka Qendrore Kooperative ka regjistruar rritje prej rreth 39 përqind. Rënien më të madhe në euro e ka Stopanska Banka Shkup, fitimi i së cilës ka rënë për pothuajse 12 milionë euro.

Lexo edheParalajmërimi i fituesit të Nobelit në Fizikë: “Çernobili” i inteligjencës artificiale mund të ndodhë brenda vitit 2027

Alta Banka Manastir është e vetmja bankë në listë që me pronarin e ri ka kaluar nga fitimi në humbje. Nëntë muajt e parë të vitit 2025, kur funksiononte me emrin Stopanska Banka Manastir, i ka mbyllur me fitim prej rreth 800 mijë eurosh. Në të njëjtën periudhë këtë vit me emër të ri dhe me pronar të ri ka raportuar humbje prej rreth 790 mijë eurosh.

Më 1 nëntor, një muaj pas analizimit të këtyre raporteve, Banka Popullore aplikoi administrim në Alta Manastir dhe e revokoi pëlqimin për pjesëmarrjen e kualifikuar të Alta Beograd në bankën e Manastirit. Në vendim thuhet se kanë ndodhur rrethana që mund ta rrezikojnë rëndë solvencën e bankës në Manastir.

Ndërkohë, përderisa në Serbi është shpallur procedurë falimentimi për “bankën amë” Alta Banka Beograd, në Shkup po rrjedhin afatet që i dha Banka Popullore për shitjen e saj.

“Në kuadër të kompetencave të saj ligjore Banka Popullore vepron në mënyrë adekuate dhe bashkëpunon me institucionet kompetente vendase dhe të huaja, duke i respektuar rregullat ligjore për konfidencialitetin e informacioneve të supervizorëve“, thuhet në një nga njoftimet e saj.

Davor Macura, pronari i Alta Banka Beograd, i cili hyri në tregun e Maqedonisë vitin e kaluar, është biznesmen kontrovers për të cilin besohet se është i afërt me ish-pushtetin e Aleksandër Vuçiqit në Serbi.

Tre nga shtatë banka e kanë pjesën më të madhe të fitimit

Banka Komerciale është e para për nga fitimi në këtë grup me 68,4 milionë euro. Siç publikoi “Pari.mk“ më 30 tetor, banka në fund të shtatorit kishte 3,25 miliardë euro aktivë, nga të cilat 2,77 miliardë euro depozita nga klientët dhe rreth 1,53 miliardë euro kredi dhe kërkesa nga klientët dhe bankat e tjera.

Krahasuar me fundin e vitit 2025 Banka Komerciale ka investuar 12 përqind më shumë para në bono dhe letra me vlerë shtetërore, me çka investimet në letra me vlerë kanë arritur vlerën prej 706 milionë euro.

Edhe krahas rënies së lehtë të fitimit Banka Komerciale ka realizuar të ardhura më të larta nga provizionet dhe tarifat. Në nëntë muajt e parë të vitit 2026 ato kanë arritur vlerë prej 17,94 milionë euro, tregon kështu raporti financiar i pareviduar. Sipas portalit ekonomik “Pari.mk“ rënia e lehtë e fitimit të përgjithshëm të bankës kryesisht buron nga fitimi më i ulët kapital nga shitja e pronës së marrë, shpenzimet më të larta operative dhe korrigjimi më i madh i vlerës.

Te Stopanska Banka Shkup fluksi i parave nga interesat është zvogëluar për 7 përqind, ndërsa të ardhurat neto nga provizionet dhe tarifat janë rritur për 38 përqind. Banka në komentin e saj të publikuar në Bursën e Maqedonisë e lidh rënien e fitimit me normat më të ulëta të interesit dhe me të ardhurat njëherëshe që i ka pasur në vitin 2025.

Te NLB kreditë dhe kërkesat nga klientët janë rritur për 18,7 përqind në nivel vjetor, por shpenzimet e interesave janë rritur për 45,6 përqind. Të ardhurat neto nga interesat janë rritur për 1,9 përqind, ndërsa fitimi neto për rreth 1 përqind.

Te bankat më të vogla Banka Qendrore Kooperative ka shënuar rritjen më të madhe procentuale të fitimit, 38 përqind, përkatësisht ka fituar rreth 117 mijë euro më shumë se në nëntëmujorin e kaluar.

TTK ka rënien më të madhe procentuale mes bankave që janë fitimprurëse. Ka fituar rreth 673 mijë euro, edhe pse janë rritur kreditë, depozitat dhe të ardhurat neto nga interesat. Në komentin e TTK-së veçohen shpenzimet më të larta operative dhe të ardhurat më të ulëta të tjera.

UNI Banka ka fituar rreth 1,96 milionë euro më pak se në nëntëmujorin e kaluar, edhe pse kreditë dhe depozitat e saj janë më të larta se në fund të vitit 2025.

Çfarë tregojnë raportet e pesë bankave të tjera

Në këtë analizë për nëntë muajt e parë të këtij viti nuk janë përfshirë të dhëna për Halkbank, Sparkasse, ProCredit, Silk Road dhe M Banka, sepse ato nuk kanë publikuar raporte nëntëmujore në uebfaqen e Bursës së Maqedonisë.

Silk Road Banka është jashtë kësaj analize sepse aksionet e saj nuk kuotohen në tregun zyrtar të Bursës së Maqedonisë. Në raportin e reviduar për vitin 2025 banka njofton se 100% e aksioneve i zotëron Silk Road Capital AG nga Zvicra. Në raport banka ka paraqitur rreth 23,2 milionë euro mjete vetanake, shkallë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 19,19 përqind dhe shkallë të kredive jofunksionale prej 2,48 përqind.

Në analizë nuk është përfshirë as Sparkasse Banka, e cila raportin e fundit në uebfaqen e saj e ka për vitin 2025. Sparkasse Banka Shkup e ka mbyllur vitin 2025 me 29,7 milionë euro fitim, 1,9 përqind më shumë se në vitin 2024. Aktiva është rritur për 10,6 përqind, në 1,92 miliardë euro, ndërsa kapitali dhe rezervat për 13,2 përqind, pra në 265,3 milionë euro.

Halkbank Shkup në raportin e saj ka publikuar se në fund të shtatorit 2026 ka pasur rreth 400,4 milionë euro mjete vetanake rregullatore dhe mjaftueshmëri kapitali prej 20,07 përqind, përkundër 19,25 përqind sa parashikon Banka Popullore për bankën. Kreditë jofunksionale kanë përbërë 1,62 përqind të kredive bruto, ndërsa shkalla e mbulimit me likuiditet ka qenë 167,25 përqind. Në raportin e tyre të shkurtër me disa tabela të publikuar në uebfaqen e tyre nuk ka të dhëna për fitimin neto për nëntë muajt e parë të këtij viti.

ProCredit Banka Shkup vitin 2025 e ka mbyllur me 10,5 milionë euro fitim neto, pothuajse 25 përqind më pak se në vitin 2024, kur kishte rreth 14 milionë euro fitim. Të ardhurat nga veprimtaria janë zvogëluar për 3,3 përqind, ndërsa shpenzimet janë rritur për 16 përqind. Në të njëjtën kohë, aktiva është rritur për 8,5 përqind, në 918 milionë euro, portofoli neto i kredive për 14 përqind, në 626 milionë euro, ndërsa depozitat e klientëve për 7,3 përqind, në 656 milionë euro.

M Banka vitin 2025 e ka mbyllur me humbje neto prej rreth 1,02 milionë eurosh. Sipas raportit të reviduar humbja kryesisht është si rezultat i shpenzimeve njëherëshe për prezantimin e sistemit të ri informatik dhe për strategjinë e zhvillimit. Krahasuar me të dhënat për fundin e vitit 2024, aktiva është zvogëluar për 29 përqind, në 50,4 milionë euro, depozitat e klientëve për 35 përqind, në 39,4 milionë euro, ndërsa kreditë dhe kërkesat nga klientët me 16 përqind, në 30,1 milionë euro.

Në shitje dy nga 12 bankat në vend

Procesi për shitjen e aksioneve të ALTA Banka ShA Manastir njoftohet për më pak se një muaj. Kryeministri Hristijan Mickoski si përgjigje në pyetjet e gazetarëve njoftoi se ankandi për bankën pritet të caktohet nga fundi i nëntorit ose fillimi i dhjetorit, pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore dhe rregullatore.

Sipas kryeministrit, tashmë ka kaluar afati prej tri ditësh për njoftimin e rregullatorit në Serbi, ndërsa po rrjedh edhe afati prej dhjetë ditësh për marrjen e pëlqimit nga Banka Popullore. Pas kësaj vijojnë edhe pesë ditë të tjera për licencimin e ofertuesve potencialë, pas çka zyrtarisht do të caktohet ankandi.

“Në ditët e kaluara isha shumë, personalisht i fokusuar në lëndën për Alta Bankën. Dhe sot jam optimist i madh se, për fat të keq opozita do të mbetet e zhgënjyer, sepse skenarët e tyre të zinj dhe përpjekjet që banka të kalojë në pasiguri, përkatësisht në falimentim, nuk do të realizohen, përkatësisht do të kemi një institucion financiar, bankë që do të jetë pronare e “Alta Banka“. Domethënë do ta shpëtojmë bankën. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për kreditorët, por edhe për njerëzit që janë në, do të thosha, njëfarë relacioni me Alta Bankën”, deklaroi Mickoski.

Por, shitja e Alta Banka Manastir nuk është ndryshimi i vetëm këtë vit. Sektori bankar i Maqedonisë është përpara një prej ndryshimeve më të rëndësishme në vitet e fundit, pasi Grupi austriak Steiermarkische Sparkasse e filloi zyrtarisht procedurën për marrjen e UNI Banka ShA Shkup. Procedura filloi në shtator, kur u dorëzua zyrtarisht Njoftimi për synimin për marrjen e të gjitha aksioneve të zakonshme të lëshuara nga Uni Banka.

“Si një nga grupacionet bankare udhëheqëse në Evropë kemi besim të fortë në sektorin bankar të Maqedonisë dhe potencialin e tij afatgjatë për rritje. Ky njoftim e konfirmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm në treg dhe strategjinë tonë për rritje të qëndrueshme. Me këtë hap kemi për qëllim ta përforcojmë edhe më shumë praninë tonë në Maqedoninë e Veriut dhe ta avancojmë rolin tonë si partner i besueshëm, stabil dhe afatgjatë i qytetarëve, komunitetit afarist dhe ekonomisë në tërësi“, deklaroi Georg Bucher, kryetar i Këshillit Drejtues të Steiermarkische Sparkasse dhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Sparkasse Banka ShA Shkup.

Ky është fillimi i një procesi i cili, nëse i merr miratimet e nevojshme rregullatore, mund ta ndryshojë dukshëm shpërndarjen e forcave në bankat e Maqedonisë. Sipas informacioneve të publikuara, pas bashkimit të planifikuar banka e përbashkët do të disponojë me një aktivë prej rreth tre miliardë eurosh dhe një pjesetë tregut prej rreth 17 përqind. Bursa e Maqedonisë tashmë e ka vendosur UNI Bankën në listën e vëzhgimit pas publikimit të synimit për marrjen e saj.

FMN dhe KE me vlerësime pozitive dhe paralajmërim për sistemin bankar

Komisioni Evropian (KE) vlerëson se sektori bankar ka mbetur rezistent, por paralajmëron se rritja e shpejtë e kredive të banimit është sfidë për politikën monetare. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2026 mjaftueshmëria e kapitalit ka arritur në 19,1 përqind, ndërsa pjesa e kredive jofunksionale ka rënë në nivelin rekord më të ulët prej 1,9 përqind.

Komisioni kërkon mbikëqyrje të kujdesshme për shkak të ekspozimit të lartë të një pjese të bankave ndaj tregut të patundshmërive. KE e vlerëson profitabilitetin e sektorit si solid, me rritje të aktivës prej rreth 2 përqind. KE kërkon harmonizim të mëtejshëm me rregullat e Bashkimit Evropian për kërkesat e kapitalit, si dhe harmonizimin e Ligjit për Bankat dhe Ligjit për Sigurimin e Depozitave me Ligjin e Zgjidhjes së Bankave.

Në qershor FMN e vlerësoi sektorin bankar të Maqedonisë si të kapitalizuar mirë dhe likuid. Vlerësimi i referohet sektorit në tërësi, në të cilin u përshëndet modernizimi i kornizës së politikës monetare.

“FMN inkurajon përpjekje shtesë për përforcimin e menaxhimit me likuiditetin dhe autonominë e bankës qendrore“, thuhet në njoftimin e FMN-së.

“Duke i pasur parasysh rreziqet nga rritja e shpejtë e kredive dhe ekspozimet në rritje ndaj patundshmërive, ata inkurajuan vigjilencë të vazhdueshme dhe gatishmëri për zbatimin e masave shtesë makroprudenciale në rast nevoje. Drejtorët gjithashtu rekomanduan vazhdimin e harmonizimit të rregullativës bankare me standardet e BE-së dhe përforcimin e mëtejshëm të zbatimit të rregullativës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit“, njoftoi FMN.

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme